Analisti Lorenc Vangjeli e ka cilësuar si shkelje të rëndë të protokolleve të sigurisë arratisjen e të dënuarit Altin Ndoci nga spitali i burgut në Durrës.
Në emisionin “Trialog”, Vangjeli solli si shembull rastin e kryebashkiakut në detyrë të Tiranës, Erion Veliaj, duke ilustruar, sipas tij, diferencën e theksuar në masat e sigurisë.
“Është aksion në të gjithë botën që i burgosuri kërkon të arratiset, ndërsa gardiani tenton ta mbajë. Deri këtu jemi në normalitetin që e ndeshim herë pas here. Sjell një shembull ku e përbashkëta e tyre është që janë shkelur protokollet e sigurisë. Në këtë rast bëjmë një krahasim me një paraburgosur, që klasifikohet me rrezikshmëri standarde, që është kryetari aktual i bashkisë në detyrë, i cili për një ndërhyrje mjekësore kishte dy dyzina me forca speciale që e shoqëronin në ambientet e spitalit. Ndërkohë që në këtë rast, më thonë që gjithsej kanë qenë pesë efektivë policie. Më shpjegojnë që në asnjë moment i burgosuri në asnjë mënyrë nuk do duhej të lejohej vetëm. Do të duhej të ishte i pranishëm në spital, ndërkohë që do duhej të kishte pozicionim të forcave edhe në hyrje të godinës”, tha Vangjeli.
Sipas Vangjelit, numri prej pesë efektivesh ishte krejtësisht i papërshtatshëm, ndërsa planifikimi i masave të sigurisë ishte i mangët, duke përbërë shkelje serioze të protokolleve.
Burimi: botasot.info


