Virgil Van Dijk kaloi një dëmtim të rëndë në sezonin e shkuar teksa ligamentet e gjurit e tradhëtuan mbrojtësin i cili u detyrua të qëndronte edhe jashtë kombëtares së Holandës për Euro 2020. Megjithatë, 30-vjeçari ka hedhur pas krahëve momentin e errët ndërsa Jurgen Klopp ka rigjetur garancinë në repartin e prapavijës.
Por, vetë lojtari shprehet se duke u kthyer në formën më të mirë njerëzit e kanë harruar se ai vjen prej një dëmtimi shumë të rëndë ku në lojë ishte edhe vazhdimësia e karrierës.
Van Dijk thekson se po nënvlerësohet ajo që bën në fushë teksa opinioni sillet sikur dëmtimi të mos kishte ndodhur kurrë.
“Ndihem shumë mirë dhe pushimi në dimër më shërbeu. Më duhej pak kohë me familjen ku të mos mendoja për futbollin.
Më duket sikur njerëzit e marrin si diçka normale paraqitjen time në fushë dhe sillen sikur dëmtimi të mos kishte ekzistuar kurrë. Mua më duhej të largoja një peshë të madhe nga vetja pasi nuk e dija nëse do të rikthehesha sërish në më të mirën time, ndaj vendosa të isha krenar për gjithçka që do të bëja pas dëmtimit.
Sipas mendimit tim, nuk ishte normale që pas dëmtimit të luaja kaq shumë ndeshje dhe të arrija në këtë nivel. Të luash tre herë në javë nuk është pak dhe nuk është për t’u nënvlerësuar”, u shpreh Van Dijk.