Kapiteni i Liverpool, Virgil van Dijk, ka theksuar se skuadra duhet të qëndrojë me këmbë në tokë, pavarësisht fitores bindëse ndaj Galatasaray në Champions League.
Skuadra turke kishte ardhur në “Anfield” me avantazhin 1-0 nga ndeshja e parë, por është mposhtur thellë 4-0 nga Liverpool në ndeshjen e kthimit të fazës së 1/16-ës. Tani, gjashtë herë kampionët e Evropës do të përballen në çerekfinale me kampionin në fuqi Paris Saint-Germain, që i kishte eliminuar sezonin e kaluar.
Kjo fitore ishte shumë e rëndësishme për Liverpool, i cili këtë sezon ka hasur vështirësi në mbrojtjen e titullit në Premier League dhe aktualisht renditet i pesti, njëzet e një pikë pas liderit, Arsenal.
“Kishte shumë në lojë dhe duhej të tregonim sa shumë e dëshironim fitoren”, ka thënë Van Dijk. “Nganjëherë kemi luajtur mirë, por jo në mënyrë të vazhdueshme, dhe kjo ka qenë zhgënjyese për ne dhe për tifozët”.
Mbrojtësi holandez ka shtuar se sfida më e madhe është ruajtja e nivelit të lartë çdo tri apo katër ditë: “Nëse arrin ta bësh këtë, ke shumë gjasa të jesh i suksesshëm. Këtë e arritëm vitin e kaluar dhe synojmë ta bëjmë sërish, por duhen shumë faktorë në favor”, është shprehur ai.
Tridhjetë e katër vjeçari ka paralajmëruar që skuadra nuk duhet të entuziazmohet tepër pas kësaj fitore, pasi këtë sezon ka munguar vazhdimësia në rezultate.
Fitorja ndaj Galatasaray ka ardhur pas një barazimi zhgënjyes ndaj Tottenham Hotspur në shtëpi, ku tifozët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre.
“Gjithçka është të bëhet së bashku. Nëse ne japim maksimumin në çdo ndeshje dhe tifozët na mbështesin vazhdimisht, nuk do të ketë probleme”, ka thënë Van Dijk.
Burimi: botasot.info


