Edwin van der Sar, ish-portieri legjendar i Manchester United, Juventus dhe Ajax, ka ndarë eksperiencën e tij tronditëse pas hemorragjisë cerebrale që pësoi gjatë pushimeve në Kroaci, në korrik, në një intervistë për “Sky Sports UK”:
“U zgjova dhe ishte dita jonë e fundit e pushimeve, po planifikonim të ktheheshim atë ditë. Ndjeva diçka të çuditshme në qafë, në pjesën e pasme të shpatullave. Shkova në tualet për të vjellë, pastaj u ktheva në dhomë ku dritat ishin të hapura dhe nuk mund ta duroja dritën në sy.
U shtriva në shtrat dhe i thashë gruas:
Duhet të thërras një mjek, nuk ndihem mirë. Shpejt rezultoi se kisha hemorragji cerebrale. Ishte një shok i madh, sepse gjithmonë mendon se je i shëndetshëm, i fortë. Sigurisht, nuk je më në formën e karrierës tënde, por nuk e pret kurrë një gjë të tillë kur je një 52-vjeçar në formë”.
Gruaja juaj, Annemarie, ka përjetuar gjithashtu një hemorragji cerebrale. A i njohu simptomat shpejt?
Besoj se jemi bërë disi ekspertë në këtë fushë. Isha i pranishëm kur i ndodhi asaj, dhe ajo ishte në dhomë kur më ndodhi mua. Kemi edhe një fondacion ku ndihmojmë njerëzit me hemorragji cerebrale dhe fëmijët.
Ajo njohu simptomat menjëherë dhe kontaktoi drejtorin e përgjithshëm të hotelit. Ishin fantastikë në Kroaci. Thirrën një mjek, pastaj ambulancën dhe u transportova në spital për kontrolle dhe procedura të tjera. Unë thjesht u shtriva, u çlodha dhe lashë të tjerët të bënin punën e tyre. Për fat të mirë, gjithçka shkoi mirë”.
Burimi: botasot.info