Disa pjesë të Spanjës po përjetojnë majin e tyre më të nxehtë ndonjëherë me temperatura mbi 40 gradë Celsius në disa vende, sipas agjencisë shtetërore të motit, AEMET.
Agjencia lëshoi paralajmërime për të nxehtin në 10 rajone për të shtunën, duke thënë se mund të jetë “një nga valët më intensive” të të nxehtit në vite.
Qyteti i Jaén në Spanjën jugore regjistroi të premten temperaturën më të lartë të majit prej 40 gradë Celsius. Ndryshimet klimatike po i bëjnë valët e të nxehtit më të shpeshta dhe më intensive.
Moti i ngrohtë pranveror i Spanjës është rezultat i ajrit të nxehtë që vjen nga Afrika e Veriut, duke bërë që temperaturat të rriten deri në 15 gradë Celsius mbi mesataren për këtë periudhë të vitit.
Ministria e shëndetësisë e Spanjës u bëri thirrje banorëve të pinë shumë ujë dhe të qëndrojnë në vende të freskëta kur është e mundur.
Shkencëtarët thonë se valët e të nxehtit ka të ngjarë të bëhen më të shpeshta dhe më intensive në mbarë botën, me rritjen e temperaturave globale. Ndikimi i tyre gjithashtu ka të ngjarë të jetë më i përhapur.