Në përmbyllje të Javës Botërore të Imunizimit, u theksua se vaksinimi kontribuon në një shoqëri të shëndetshme.
Në tryezën e organizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, me temën: “Imunizimi është i mundshëm për të gjithë”, u vu në pah nevoja për edukim shëndetësor për vaksinim.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, tha se si ministri angazhohen për të rritur ndërgjegjësimin dhe qasjen e qytetarëve për imunizim.
Ardita Baraku, drejtoreshë e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, tha se zbatimi i programit të imunizimit dhe përfshirja e tri vaksinave të reja ka rezultuar shumë i suksesshëm. Ajo njoftoi se vitin e kaluar, me vaksinën HPV, janë vaksinuar mbi 10 mijë vajza, ndërsa këtë vit janë imunizuar mbi 13 mijë djem e vajza.
Gexha-Bunjaku: Ministria e Shëndetësisë siguron siguri financiare për programin e imunizimit
“Ne jo vetëm që promovojmë rëndësinë e vaksinimit, por gjithashtu angazhohemi për të rritur ndërgjegjësimin, për të përmirësuar qasjen dhe për të fuqizuar besimin e qytetarëve në sigurinë dhe efektivitetin e vaksinave… Programi i zgjeruar i imunizimit është konsideruar si proces i suksesshëm në fushën e shëndetit publik. Zbatimi i programit të zgjeruar të imunizimit është një nga prioritetet e qeverisë së Kosovës, me qëllim të parandalimit të sëmundjeve vaksinave preventabile, duke synuar përfshirjen e plotë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Ministria e Shëndetësisë siguron siguri financiare për programin e imunizimit përmes sigurimit të vaksinave”, tha ajo.
Drejtoresha e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Ardita Baraku, deklaroi se vaksinimi kontribuon në rritjen e shëndetit të popullatës. Ajo theksoi nevojën për edukim shëndetësor dhe informata të sakta për imunizim.
Baraku: Vaksinimi kontribuon në rritjen e shëndetit të popullatës
“Vaksinimi kontribuon në rritjen e shëndetit të popullatës, qoftë në tërësi, qoftë të grupeve të veçanta të tyre. E para, fillojmë me fëmijët, prandaj edhe bëjmë vaksinimin e obliguar për fëmijë, meqenëse ata kanë gjendjen imunitare më të brishtë… Gjithmonë është me rëndësi saktësia e informatave për imunizimin, por ka raste kur prindërit hezitojnë t’i vaksinojnë fëmijët e tyre, pasi nuk kanë informata të qarta dhe kanë mëdyshje për vaksinim. Falë punës së madhe, numri i atyre që hezitojnë është i vogël në Kosovë, por kjo e vë në pah rëndësinë e edukimit shëndetësor”, theksoi ajo.
Edita Goranci-Haxhiu nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, tha se Kosova është shembull për shkallë të lartë të imunizimit. Ajo ngriti si shqetësim mos imunizimin e fëmijëve me vaksinën kundër fruthit në nivel botëror.
Goranci-Haxhiu: Kosova shembull për nivel të lartë të imunizimit
“Sfidat të cilat jemi duke u ballafaquar i prezanton OBSH, duke shënuar që 22 mijë fëmijë janë mbetur pa e marrë vaksinën MMR kundër fruthit, rubëlës. Në të njëjtin vit (2023) janë lajmëruar 10 milionë raste të reja me fruth, dhe ne si profesionistë shëndetësorë nuk e pranojmë këtë fakt, pasi vaksina është shumë efektive, shumë e sigurt dhe mund të jepet në çdo qendër të mjekësisë familjare, pa kosto dhe pa termin… Suksesi i vaksinimit në Kosovë është shembull i mirë për shumë shtete evropiane, me një mbulueshmëri shumë të lartë të vaksinimit dhe një situatë të qetë për sëmundjet që parandalohen me vaksina”, theksoi ajo.
Në kuadër të Javës së Imunizimit 2025, edhe në Kosovë janë realizuar një sërë aktivitetesh për informimin rreth imunizimit në shumë komuna.
Burimi: botasot.info