Sipas të përjavshmes “Chi”, parukierja seksi nga Terni është “flaka” e re e Nicolo. Të dy janë fotografuar nga paparacët në Ponza, në bordin e një jahti. Imazhet sociale i çmendën fansat.
Mediat italiane kanë gjurmuar shpejt e shpejt identitetin e bukuroshes që po pushon me yllin e Romës, i cili shënoi golin e vetëm të finales historike të Tiranës, në kuadrin e Ligës së Konferencës, më 25 maj, në “Arena Kombëtare”. Për koicidencë, edhe “flaka” e re e tij i paska rrënjët shqiptare.
“Zaniolo në jaht me një vajzë, ajo është parukiere”, – shkruan “Chi”, duke shtjelluar më tej zbulimin e vet ekskluziv: “Nicolò Zaniolo vijon pushimet e merituara në Ponza.
Nga jahti
Pas ‘selfie’ me Federico Chiesa, e cila ndezi ëndrrat futbollistike të tifozëve të Juventusit, që dëshirojnë t’i shohin të luajnë së bashku me fanellën bardhezi, sulmuesi romak rikthehet në rolin e dashnorit latin.
Këto ditë ai po shijon një pushim të merituar plot argëtim me një të dashur të re, e cila mesa duket është ‘flaka’ e tij e fundit. Paparacët tanë e kanë fokusuar Nicolò në një jaht, në shoqërinë e një bukurosheje. Po ju japim disa detaje mbi bukuroshen që ka në krahë këto ditë.
Quhet Kejdis Bardhi, është parukiere (sallon i saj i bukurisë është në Terni), e specializuar në ‘balayage’, i pëlqen të lexojë poezi. Kejdis sigurisht që ka zgjuar interesimin e ‘sirenës së vogël’, Zaniolo. Aq sa nuk humb asnjë sekondë për t’u afruar me të. Sulmuesi i Romës fillon t’i marrë rrezet e diellit në krah të saj, improvizon një kërcim me të, shkëmben thashetheme, buzëqeshje dhe shikime…”
Vajza në fjalë është shqiptare, me origjinë nga Rrësheni, gjë të cilën Kejdis e konfirmon në rrjetet sociale, bashkë me fotot që poston rregullisht. Një histori e re dashurie për lojtarin e Romës? Apo thjesht një aventurë verore? Mbetet ta shohim, ndërkohë që thashethemet po mbushin mediat rozë italiane.