Pas nëntë vitesh, 16-vjeçarja Pooja Gaud më në fund është në gjendje të mbështesë kokën në prehrin e nënës së saj.
Pooja u zhduk më 22 janar 2013 kur ishte shtatë vjeç. Ajo thotë se u mor nga jashtë shkollës së saj në qytetin Mumbai në shtetin indian perëndimor të Maharashtra nga një çift që e joshi me një akullore. Më 4 gusht, ajo u gjet dhe nëna e saj, Poonam Gaud, thotë se ajo është mbi re.
“Kisha hequr dorë nga shpresa për të gjetur ndonjëherë vajzën time. Por perënditë kanë qenë të mirë me mua,” thotë ajo.
Sipas policisë, fëmija është rrëmbyer nga Harry D’Souza dhe gruaja e tij, Soni D’Souza, sepse çifti nuk kishte një fëmijë të tyre. Harry D’Souza tani është arrestuar.
Para se të zhdukej, Pooja jetonte me dy vëllezërit dhe prindërit e saj në një shtëpi të vogël në një zonë të varfër periferike. Ditën që u zhduk, ajo ishte nisur për në shkollë me vëllain e saj të madh, por të dy u grindën dhe vëllai i saj hyri në shkollë duke e lënë pas pasi po vonohej. Pikërisht atëherë dyshohet se çifti e mori me vete, duke i premtuar se do t’i blinin një akullore. Pooja thotë se çifti fillimisht e çoi në Goa dhe më pas në Karnataka, shtete në Indinë perëndimore dhe jugore, dhe e kërcënuan se do ta lëndonin nëse ajo qante ose tërhiqte vëmendje.
Ajo thotë se u lejua të ndiqte shkollën për një kohë të shkurtër, por pasi çifti pati një fëmijë të tyre, ajo u hoq nga shkolla dhe të gjithë u zhvendosën në Mumbai. Pooja thotë se abuzimi me të u përkeqësua pas lindjes së fëmijës.
“Më rrihnin me rrip, më goditnin, më goditnin me grusht. Një herë më rrahën aq shumë sa filloi të më rridhte gjak nga shpina. Gjithashtu më detyronin të bëja punët e shtëpisë dhe të punoja nga 12 deri në 24 orë punë jashtë”.
Shtëpia ku jetonin D’Souza ishte mjaft afër me shtëpinë e familjes së saj – por, thotë ajo, ajo nuk ishte e njohur me rrugët, ishte gjithmonë e vëzhguar dhe nuk kishte para ose telefon, dhe nuk mund të kërkonte ndihmë ose të përpiqej të gjente rrugën për në shtëpinë e saj.
Por një ditë, Pooja arriti të kapte celularin e çiftit kur ata ishin në gjumë dhe shkroi emrin e saj në YouTube. Ajo gjeti video dhe postera që përmendnin rrëmbimin e saj dhe numrat që mund të thërriste për ndihmë.
“Ai ishte momenti kur vendosa të kërkoja ndihmë dhe të shpëtoja,” thotë ajo.
Por asaj iu deshën shtatë muaj para se të merrte guximin për ta diskutuar këtë me Pramila Devendra, 35 vjeç, një ndihmëse shtëpiake që punonte në të njëjtën shtëpi ku Pooja punonte si kujdestare.
Zonja Devendra pranoi menjëherë ta ndihmonte. Një nga numrat në poster e lidhte me Rafiq, një fqinj i nënës së Poojës. Nënë e bijë folën fillimisht në një video-telefonatë dhe më pas u organizua një takim.
Nëna e saj thotë se ajo kontrolloi për një shenjë lindjeje që vetëm ajo e dinte se ekzistonte tek vajza e saj dhe pasi e gjeti atë, ajo u pushtua nga emocionet.
“Të gjitha dyshimet e mia u zhdukën menjëherë. E dija se kisha gjetur vajzën time,” thotë ajo.
Zonja Devendra është e lumtur që luajti një rol në këtë ribashkim.
“Çdo nënë duhet ta ndihmojë një fëmijë që vjen tek ajo për ndihmë. Ne mund të mos jemi nënat e tyre biologjike, por ne jemi nëna,” thotë ajo.
Pas takimit, Pooja, disa anëtarë të familjes dhe zonja Devendra shkuan në komisariat për të denoncuar.
“I thashë policisë gjithçka, madje u tregova se ku jetonin rrëmbyesit e mi,” tha ajo.
Kjo ka sjellë identifikimin dhe arrestimin e të akuzuarit.
Kthimi i Pooja në shtëpi ka sjellë gëzim jo vetëm për familjen e saj, por për të gjithë ata që e kanë njohur. Nënë e bijë po përpiqen të kalojnë sa më shumë kohë së bashku, por jeta për momentin është e vështirë për to.
Babai i Poojës, i cili ishte i vetmi që mbante familjen, vdiq katër muaj më parë nga kanceri. Kështu, nëna e saj vijoi punën e tij duke shitur ushqime në një stacion hekurudhor për të siguruar jetën për vete dhe tre fëmijët e saj. Por të ardhurat janë të pakta dhe ajo po vuan për të përballuar jetesën.
Pooja është ende duke përpunuar traumën e saj. Ajo ndjen makthe dhe ndihet e trishtuar që nuk do ta shohë më kurrë babanë e saj. Për sigurinë e saj, pjesën më të madhe të kohës e kalon në shtëpi ose kur del, e shoqëron një familjar jashtë.
“Dua të ndihmoj financiarisht nënën time, por nuk më lejohet. Dua gjithashtu të studioj,” thotë ajo.
Por pavarësisht këtyre problemeve, nëna e saj thotë se nuk mund të ishte më e lumtur.
“Puna është rraskapitëse, por sa herë që shoh Poojan, e gjej sërish forcën time. Jam shumë e lumtur që është kthyer”, thotë ajo.