Uzuni kthehet në “idhull” te Granada

min lexim

Ka qenë i rëndësishëm që më parë, por po kalon çdo limit.

Myrto Uzuni vërtet ka hyrë në zemrën e tifozëve të Granada, pavarësisht sezonit aspak pozitiv të ekipit të tyre në La Liga, teksa me golin dhe me lojën ndaj skuadrës së Osasuna, ai u vlerësua si më i miri në fushë, ndërsa me deklaratat pas saj edhe si njeriu më i përkushtuar ndaj stemës dhe fanelës.

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare tha se vazhdon të luajë me gjilpëra për shkak të dëmtimit, se nuk stërvitet aspak, por vetëm aktivizohet në ndeshje, dhe kjo sepse dëshiron të japë gjithçka për bluzën e Granada.

Reagimet e tifozëve ishin të shumta, ndërsa veçohet blogeri Fran Rodriguez, i cili e shprehu shumë qartë rëndësinë e Uzunit për skuadrën spanjolle.

“Kur je përpara një turneu të madh si Evropiani, ti nuk mund të humbasësh mundësinë për të luajtur për vendin tënd, për Shqipërinë. Të mos harrojmë se jemi në maj, dhe normale do të kishte qenë që të kishte kërkuar pushim për t’u rikuperuar. Gjithsesi, është ai vetë që kërkon të luajë, dëshiron të japë gjithçka për fanelën, siç e tha për Movistar dhe kjo është për t’u respektuar”.

Uzuni, ndërkaq, po vendos rekorde dhe po kërkon arritje të tjera. Me 11 gola, sulmuesi është jo vetëm shënuesi më i mirë i Granada këtë sezon, por edhe më i miri në histori, duke kaluar 10 golat e Carlos Fernandez në vitin 2020 dhe duke barazuar 11 rrjetat e Porte në 1973. Ndërkaq, ai është vetëm 10 gola larg barazimit të rekordit të Youssef El-Arabi si shënuesi më i mirë i skuadrës në histori, teksa Uzuni ka 34 rrjeta deri tani, nga 44 të marokeno-francezit.

Story i mëparshëm

Kaq e pati, Kim Kardashian ndahet nga i dashuri

Story i radhës

Dërgesat e miellit të UNRWA-së shkojnë për 380 mijë familje në Gaza

Të fundit nga