Universiteti i Tetovës ishte organizator i Trajnimit për Mbështetjen e Zhvillimit të Kapaciteteve (CDS), me temë: “Sipërmarrësia shoqërore dhe diversiteti e përfshirja”, në bashkëpunim me Ekipin e Detyrave Aurora (CDS) të Universitetit Palacky (UP) dhe Universitetin Vrije të Amsterdamit (VU).
Kjo veprimtari është pjesë e aktivitetit prej gjashtë sesionesh, ndërgjegjësimi dhe trajnimi, të organizuara në kuadër të Programit Aurora CDS. Qëllimi i këtyre aktiviteteve është i dyfishtë; të forcojë kapacitetin e universiteteve partnere të Aurora-s në fushat kyçe të inovacioneve, ndërkombëtarizimit dhe angazhimit social dhe t’i mbështesë ata në krijimin e qendrave rajonale për shkëmbimin e praktikave më të mira që dalin nga përvojat e Aleancës Aurora dhe Rrjetit më të gjerë CDS.
Hapjen solemne të trajnimit e bëri Prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Dr. Shefik Shehu, i cili vlerësoi faktin që ky trajnim ka mbledhur së bashku më shumë se 80 profesorë, administratorë universitetesh dhe ekspertë të politikave të arsimit të lartë nga nëntë vende dhe prek dy koncepte të rëndësishme, të cilat janë shumë të lidhura me vlerat dhe historinë e institucionit tonë. “Trajnimi mbi sipërmarrësinë shoqërore pritet të jep rezultate dhe përvoja të rëndësishme për të nxënit, duke rritur njohuritë dhe të kuptuarit e pjesëmarrësve, se si studentët dhe profesorët mund të krijojnë zgjidhje që i adresojnë drejtpërdrejt çështjet shoqërore. Universiteti i Tetovës ka ndihmuar në ndryshimin e narrativit kombëtar, se si të trajtohet ndarja ndëretnike dhe ka vënë gjithëpërfshirjen dhe diversitetin në krye të piramidës së tij të vlerave. Nëpërmjet kësaj rruge ne jemi bërë pionierë në krijimin e një kulture të ndërgjegjësimit për diversitetin, një kulturë që pasqyron vlerat e tolerancës, respektit për diversitetin dhe përfshirjes në strategjinë tonë gjithëpërfshirëse”, tha Prof. Dr. Shefik Shehu.
Ndërkaq, sekretarja e përgjithshme e Rrjetit Aurora, Anne-May Janssen vuri në dukje se, qëllimi i rrjetit Aurora është të revolucionarizojë arsimin e lartë evropian, duke ndihmuar të krijohen universitete të së ardhmes, duke promovuar në të njëjtën kohë vlerat dhe identitetin evropian. “Aleanca e Aurorës përfshin nëntë universitete në Evropë. Vizioni dhe misioni i saj është që t’i pajisë studentët e diplomuar me mendësi, aftësi dhe kompetenca të nevojshme, që kur të largohen nga auditorët universitarë të kenë të gjitha mjetet e nevojshme për t’i adresuar sfidat e mëdha shoqërore”, theksoi Anne-May Janssen.
Ndërsa Selma Porobic, nga Universiteti Palacky nga Republika e Çekisë, tha se njëri nga programet e rëndësishme të rrjetit Aurora është t’u ndihmojë universiteteve në zhvillimin e tyre, jo vetëm akademik, por edhe atë kërkimor, edukativ, si dhe në sferën e bashkëpunimit ndërkombëtar. Sipas saj, kjo do të thotë që universitetet duhet të përmirësohen, të bëhen edhe më të mirë dhe t’u përshtaten të gjitha ndryshimeve shoqërore që ndodhin, siç ishte për shembull pandemia.
Sabina Di Prima nga Universiteti Vrije i Amsterdamit dhe Tereza Kalouskova nga Universiteti Palacky, gjatë shpalosjes së programit u shprehën se Aurora nuk është vetëm një projekt në tavolinë, është një projekt i drejtpërdrejtë, i cili tanimë zhvillohet dhe se ato janë të gatshme për bashkëpunim mes pjesëmarrësve dhe universiteteve që ato i përfaqësojnë.
Në këtë aktivitet të Trajnimit Aurora CDS morën pjesë ekspertë të fushave përkatëse, si Kai Hockerts – profesor i Sipërmarrësisë shoqërore në Fakultetin e Biznesit të Kopenhagës (CBS).
Përpos profesorit të lartpërmendur, në këtë trajnim mori pjesë edhe Ruard Ganzevoort, i cili është profesor i teologjisë praktike dhe dekan i Fakultetit Ndërfetar dhe Ndërdisiplinor të Fesë dhe Teologjisë në Universitetin Vrije të Amsterdamit. Po ashtu, prezantimet e tyre i shpalosën edhe profesorët Ondřej Kročil dhe Jaroslava Kubátová.
https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=1404531916656918&id=338685373241583