Policia e Tiranës ka arrestuar një 31 vjeçar, pasi u kap duke ushtruar aktivitetin e lojrave të fatit në lokalin e tij.
Në një njoftim, policia bën me dije se gjatë kontrollit, shtetasit L.V iu gjet në aparatin e tij celular, programe për lojëra fati dhe të dhëna të ndryshme për vendosjen e basteve sportive.
Ndaj 31 vjeçarit rëndojnë tre vepra penale; “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Last game”, për goditjen e veprimtarisë së paligjshme në fushën e lojërave të fatit.
Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë.
Kishte vendosur lokalin në dispozicion për ushtrimin e aktivitetit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, vihet në pranga 31-vjeçari.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se një shtetas ushtronte veprimtarinë e palejuar të lojërave të fatit, në lokalin e tij, në Shkozë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Last game”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi:
– L. V., 31 vjeç, për veprat penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit L. V., në rrugën “Fehmi Ibrahimi”, në Shkozë, në aparatin e tij celular, iu gjetën programe për lojëra fati dhe të dhëna të ndryshme për vendosjen e basteve sportive.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua aparati celular që dyshohet se përdorej për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.