Forcat ukrainase kanë vrarë gjeneralmajorin rus Vitaly Gerasimov pranë qytetit Kharkiv, tha Shefi i Drejtorisë së Inteligjencës të Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, shkruan Kyiv Independent, transmeton “Bota sot”.
Gerasimov ishte një zyrtar i lartë ushtarak që mori pjesë në luftën e dytë çeçene dhe iu dha një medalje për “pushtimin e Krimesë”.
Më shumë se 11 mijë rusë janë vrarë tashmë në Ukrainë – më shumë se në dy luftërat çeçene. Rreth 30,000 rusë janë plagosur në aksione të ndryshme, thotë zyrtari i lartë ukrainas Anton Herashchenko. Ai thotë se numri i të burgosurve rusë të luftës po i afrohet 2,000 vetave.
Ndërsa, gjeneral lejtënant Serhiy Shaptala tha se trupat e tij kishin marrë Chuhuiv-in nga kontrolli rus, duke vrarë një numër të madh të ushtarëve të Putinit.
Dy komandantë të rangut të lartë rusë thuhet se u vranë në betejë.
“Okupatorët pësuan humbje të mëdha në personel dhe pajisje. Nënkoloneli Dmitry Safronov, komandanti i Brigadës së 61-të të Veçantë Detare të Forcave të Armatosura Ruse, dhe nënkoloneli Denis Glebov, Zëvendëskomandant i Brigadës së 11-të të Sulmit Ajror të Veçantë të Forcave të Armatosura Ruse, u vranë”, vazhdoi më tej shtabi i ushtrisë ukrainase.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë një automjet ushtarak me shenjën “Z” me flamurin ukrainas, ndërsa dëgjohet brohoritja.
Chuhuiv, një qytet i vogël me 30,000 banorë 22 milje në juglindje të qytetit të dytë të Ukrainës, Kharkiv, ishte një nga të parët e pushtuar nga rusët.