Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës njoftoi se ushtria ruse në 24 orët e fundit ka ndërmarrë 31 sulme raketore dhe 12 sulme ajrore kundër Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga Shtabi i Përgjithshëm thuhet se forcat ruse dje dhe sot në mëngjes kanë kryer sulme raketore dhe ajrore ndaj rajoneve të ndryshme të vendit.
“Sulmet ruse janë kryer kryesisht ndaj rajoneve Kiev, Chernihiv, Sumy, Khmelnytskyi, Donetsk, Zaporizhzhia, Mykolaiv dhe Kherson”, thuhet në deklaratë.
Ushtria ruse ka lëshuar drejt Ukrainës edhe mjete ajrore pa pilot (dronë), bëhet e ditur në deklaratën ku theksohet se “Armiku ka kryer sulme me 13 dronë Shahed-136 të prodhimit iranian. Të gjithë janë shkatërruar nga Forcat e Mbrojtjes së Ukrainës. Kërcënimi raketor dhe ajror i armikut vazhdon në të gjithë Ukrainën”.
Më tej në deklaratë thuhet se forcat ruse në 24 orët e fundit kanë kryer sulme ndaj Ukrainës edhe nga sistemet artilerike dhe armët e tjera të rënda.