Ushtria ruse pritet të pakësojë operacionet përreth Kievit

March 29, 2022
min lexim

Ndërsa negociatorët ukrainas dhe rusë filluan një raund të ri bisedimesh në Turqi që synon t’i japë fund sulmit rus në Ukrainë, ushtria ruse tha se do të pakësonte operacionet rreth kryeqytetit Kiev dhe qytetit verior të Chernihivit.

Zëvendësministri rus i Mbrojtjes, Alexander Fomin tha se masa kishte për qëllim të “rriste besimin” mes palëve në bisedimet që kanë për qëllim t’i japin fund luftimeve. Përparimi i forcave ruse kishte ngecur kohët e fundit për shkak të rezistencës së fortë të luftëtarëve ukrainas.

Gjithashtu të martën, ministri rus i mbrojtjes Sergei Shoigu tha se forcat ruse do të fokusohen në Donbas, i cili përfshin rajonet e shkëputura të Luhanskut dhe Donetskut. Ai tha se Moska kishte mbaruar kryesisht fazën e parë të “operacionit të saj special ushtarak”, përfshirë degradimin e kapacitetit ushtarak të Ukrainës.

Presidenti rus Vladimir Putin njohu pavarësinë e rajoneve të Luhanskut dhe Donetskut në lindje të Ukrainës vetëm disa ditë përpara se të niste sulmin ushtarak më 24 shkurt.

Zhvillimet e fundit rreth luftës në Ukrainë pritet të diskutohen të martën gjatë një takimi virtual të Presidentit amerikan Joe Biden me udhëheqësit e Britanisë, Francës dhe Italisë, njoftoi kanalit CBS.

Në Stamboll, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u tha negociatorëve ukrainas dhe rusë përpara fillimit të bisedimeve se u takonte të dyja palëve të arrinin një marrëveshje konkrete dhe “të ndalnin këtë tragjedi”.

Një ndihmës i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se dy palët diskutuan kushtet e një armëpushimi të mundshëm gjatë bisedimeve të së martës, plus garancitë ndërkombëtare të sigurisë për Ukrainën. Negociatat pritet të rifillojnë të mërkurën.

Në bisedime mori pjesë edhe miliarderi rus Roman Abramovich, i cili pati simptoma që dyshohej se mund të ishin nga një helmim pas një takimi në Kiev në fillim të këtij muaji. Simptoma të ngjashme patën edhe të paktën dy anëtarë të delegacionit ukrainas. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha se miliarderi Abramovich mori pjesë në bisedimet e së martës me një status jozyrtar. Peskov tha se raportet se zoti Abramovich dhe dy negociatorët e tjerë ishin helmuar ishin pjesë e “luftës së informacionit” të nisur nga vendet perëndimore.

Por në momentet kur po zhvilloheshin bisedimet në Stamboll, një sulm ajror rus goditi një ndërtesë qeveritare në qytetin ukrainas të Mykolaivit, duke lënë të paktën tetë persona të bllokuar nën rrënoja.

Zëvendëskryeministrja ukrainase Iryna Vereshchuk njoftoi në një video-mesazh të postuar në faqen e mediave sociale Telegram se korridoret humanitare për evakuimin e civilëve nga rajonet e shkatërruara nga lufta ishin hapur pas një pauze njëditore për shkak të atyre që Kievi i quajti “provokime të mundshme ruse”.

Kombet e Bashkuara thonë se sulmi i Rusisë në Ukrainë ka larguar nga shtëpitë e tyre 10 milionë njerëz dhe mbi 3.8 milionë kanë dalë tashm nga Ukraina.

Duke folur rreth bisedimeve të paqes, Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha në televizionin kombëtar të hënën se “programi minimal do të jenë çështjet humanitare, dhe se programi maksimal do të ishte arritja e një marrëveshjeje për armë-pushimin”.

Gjatë një interviste të dielën nëpërmjet telefonit me gazetarë rusë, Presidenti Zelenskyy tha se Ukraina ishte e hapur ndaj mundësisë së mbajtjes së një statusi neutral, në kuadrin e një marrëveshjeje për paqe, nëse shoqërohet nga garanci të palëve të treta dhe në vazhdim merrte miratimin në një referendum.

Disa orë përpara se të fillonin negociatat, Presidenti Zelenskyy këmbënguli se sanksionet e vendosura nga vendet perëndimore ndaj Moskës, duhet të jenë “të efektshme dhe thelbësore”, në mënyrë që të kenë efektin e dëshiruar tek ekonomia ruse.

Zoti Zelenskyy tha se nëse Rusia arrin “të shmangë” sanksionet, kjo “krijon iluzion e rrezikshëm për udhëheqësit rusë se mund të vazhdojnë me veprimet e deritanishme. Dhe ukrainasit e paguajnë këtë gjë me jetën e tyre. Me mijëra jetë”.

Ndërkaq, një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes i tha gazetarëve se forcat ukrainase kanë rimarrë qytetin Trostyanets, i ndodhur pranë qytetit verilindor Sumy, ndërsa zoti Zelenskyy tha në fjalimin e tij mbrëmjen e së hënës se forcat ukrainase kanë çliruar Irpinin, i ndodhur në rrethinat e kryeqytetit Kiev./VOA

*Disa nga të dhënat për këtë artikull u morën nga agjensitë e lajmeve Associated Press, Reuters dhe Agence France-Presse.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Mbretëria e Bashkuar do të mbajë konferencë të donatorëve për t’i ndihmuar Ukrainës

Story i radhës

Xherdan Shaqiri reagon pas barazimit me Kosovën

Të fundit nga

Barcelona i jep ultimatum de Jong-ut

Zhgënjimi te Barcelona në lidhje me Frenkie de Jong është aktualisht mjaft i lartë. Kjo kryesisht për faktin se mesfushori në fakt shumë i talentuar nuk i arrin kufijtë e performancës, megjithëse
ShkoLartë