Kosova do ta çojë në Ishujt Falkland një kontigjent ushtarësh të FSK-së. Kuvendi e miratoi të mërkurën këtë vendim, një ditë pasi Qeveria e kishte bërë të njëjtën gjë.
Ishujt Falkland përbëjnë një kontest ndërmjet Britanisë së Madhe dhe Argjentinës dhe për këtë arsye kanë ekzistuar konflikte për historinë e këtij vendi me një sipërfaqe prej 12.173 km2. Statusi i sovranitetit të këtij territori është pjesë e një mosmarrëveshjeje të vazhdueshme midis këtyre dy vendeve.
Argjentina është një nga shtetet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe mund të mendohet se dërgimi i ushtarëve të FSK-së atje mund ta largojë edhe më shumë mundësinë e njohjes nga ky shtet.
Timothy Less, ish-diplomat britanik dhe studiues në Qendrën për Gjeopolitikë në Universitetin e Cambridge-it, e pranon se me këtë hap Kosova rrezikon të ‘armiqësohet’ edhe më shumë me Argjentinën. Por ai i tha Gazetës Express se për disa arsye të tjera, ky është “një veprim i mençur” i Kosovës.
“Mendoj se është një veprim i mençur nga Kosova. Ajo mund t’i forcojë marrëdhëniet e saj të mbrojtjes me Britaninë e Madhe dhe personeli i saj ushtarak mund të fitojë përvojë duke punuar së bashku me trupat britanike, pa asnjë rrezik për trupat kosovare. Kosova gjithashtu fiton favore me Britaninë e Madhe në të cilën mbështetet për sigurinë”, thotë Less.
Për Ishujt Falkland, ai thotë se nuk ka probleme tani, pasi “Argjentina nuk ka ndërmarrë asnjë hap praktik që nga viti 1982 për t’i rimarrë”.
“Për aq sa kontestohet statusi i Ishujve Falkland, çdo ndryshim në status duhet të pasqyrojë dëshirat e njerëzve që jetojnë atje. Për momentin, pothuajse të gjithë ata identifikohen si britanikë dhe duan që ishujt të mbeten nën sovranitetin britanik, që do të thotë se çdo transferim i këtij sovraniteti në Argjentinë nuk do të ishte legjitim”, thekson Less.
Këta ishuj në jug të Oqeanit Atlantik përbëhen kryesisht nga banorë të lindur atje. Shumica kanë origjinë britanike, por ka edhe francezë e skandinavë.
Argjentina nuk ka çfarë të bëjë, edhe pse do ta shohë Kosovën duke dërguar ushtarë atje, mendon ish-diplomati britanik.
Kur Kosova e shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008, ministri i Jashtëm argjentinas kishte treguar se pse nuk do ta njihnin. Si arsye kryesore, Jorge Taiana i përmendte ishujt Falkland.
“Nëse do ta njihnim Kosovën, e cila ka shpallur pavarësinë e saj në mënyrë të njëanshme, pa një marrëveshje me Serbinë, ne do të krijonim një precedent të rrezikshëm që do t’i kërcënonte seriozisht shanset tona për një zgjidhje politike në rastin e Ishujve Malvinas (Falkland)”, shprehej ai.
Një delegacion argjentinas e kishte përsëritur qëndrimin kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës në një seancë dëgjimore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë më 2 dhjetor 2009.
Siç ka bërë të ditur Qeveria e Kosovës, vendimi për t’i çuar ushtarët “në operacionin në mbështetje të paqes”, vjen pas marrëveshjes që Kosova e ka nënshkruar me Britaninë e Madhe. Atje do të dërgohen deri në 7 pjesëtarë të FSK-së dhe ky mision mund të zgjasë deri në tre vjet, me mundësi vazhdimi. FSK në këtë mision do të jetë nën komandën e Forcave të Armatosura të Britanisë së Madhe. Misionin financiarisht do ta mbulojë Kosova me buxhetin e saj.
Kosova dhe Britania e Madhe më 30 shtator e kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët për bashkë-zbarkimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me ushtrinë britanike në misionet ku angazhohet Britania e Madhe.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, kishte bërë të ditur se nënshkrimin e kishte vënë gjatë vizitës së tij në Londër, ku ishte pritur nga ministri britanik i Forcave të Armatosura dhe Veteranëve, James Heappey.
“Deklarata e përbashkët për bashkë-zbarkim është e arritur shumë e madhe e Republikës së Kosovës e cila rikonfirmon fuqishëm besueshmërinë e plotë të Mbretërisë së Bashkuar dhe Qeverisë së saj në Ministrinë tonë të Mbrojtjes dhe kapacitetet e forcave tona”, kishte shkruar Mehaj. /GazetaExpress