Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen deklaroi se Shqipëria do të përfitojë 920 milionë euro nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ajo në një konferencë të përbashkët sot me kryeministrin Edi Rama në Tiranë, tha se BE ka hapur tregun e përbashkët me vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, pasi vendi ka bërë reformat e duhura.
“E para ka të bëjë me planin tonë të rritjes ekonomike të Ballkanit Perëndimor. E diskutuam javën e shkuar në samitin e Berlinit. Ne hapim derën për tregun e përbashkët të BE-së për partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor, për kompanitë në sektorë të caktuar por edhe partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor po vënë në zbatim reforma të rëndësishme dhe këto reforma mbështeten nga ne me anë të investimeve shtesë evropiane. Tashmë ka një vit që kur ka filluar puna dhe shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor e kanë gati agjendën e reformave. Shqipëria është një prej këtyre vendeve, e cila ka bërë një punë të shkëlqyer për agjendën e reformave”, tha presidentja e Komisionit Evropian.
Von der Leyen theksoi më tej se investimet e BE-së vijnë nga realizimi i reformave por edhe si pjesë e planit të rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor. Për këtë arsye, sipas saj, Shqipëria në para-financim do të përfitojë 64 milionë euro, ndërsa gjithsej si investime do të merr 920 milionë euro.
“Plani i Rritjes do të sjellë edhe rezultate të tjera. Për shembull jeni në rrugën e duhur për t’u bërë pjesë e zonës unike të pagesave në euro që prej vitit të ardhshëm. Kjo do të thotë që transfertat në para ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së do të jenë më të shpejta, më të sigurta dhe falas. Një përfitim si për qytetarët, ashtu edhe për bizneset”, tha ajo.
Burimi: botasot.info