Universiteti i Tetovës në vitin e ri akademik pritet të regjistrojë rreth katër mijë studentë

min lexim

Në Universitetin e Tetovës, nga dita e sotme, 29 gusht e deri më 2 shtator 2022 do zhvillohet afati i parë i regjistrimit për studentët e rinj. Sipas konkursit, Universiteti i Tetovës pritet të regjistrojë 3819 studentë të rinj, të cilët studimet e tyre do t’i ndjekin në programe të ndryshme studimore të cilat i ofrojnë 13 njësitë akademike të UT-së.
Udhëheqësi i zyrës për Arsim në Universitetin e Tetovës, Prof. Dr. Ibrahim Neziri tha se në ciklin e parë të studimeve janë të hapura 89 programe studimore dhe studentët kanë mundësi të shumta për të zgjedhur se për çfarë drejtimi do të përcaktohen. “Duke filluar prej sot, në Universitetin e Tetovës ka filluar aplikimi në ciklin e parë të studimeve. Është afati i parë që realizohet prej sot deri me 2 shtator, ditën e premte përfundon aplikimi, të shtunën është provimi pranues, ndërsa ditën e hënë shpallen rezultatet. Aplikimi ka qenë i hapur online edhe gjatë verës. Shumica e kandidatëve vetëm se i kanë plotësuar aplikimet online. Sot bëhet dorëzimi i dokumenteve, por njëkohësisht vazhdohet edhe aplikimi online. Gjithsej për aplikim në ciklin e parë janë të hapura 89 programe studimore. Interesimi është i kënaqshëm. Sigurisht që akoma Universitetet publike mbeten në rang të parë tek kandidatët që aplikojnë. Jemi të kënaqur me frekuentimin e kandidatëve të interesuar për regjistrim në hapësirat e universitetit tonë” – theksoi Prof. Dr. Ibrahim Neziri.
Ai, më tej u shpreh se, vite me radhë është më vetëm se e zakonshme që në shkencat mjekësore interesimi është më i theksuar, por këtë vit edhe në programet e tjera ka aplikime që sipas pritshmërisë sonë janë të kënaqshme. “Aplikimet janë të shpërndara në të gjitha programet studimore. Sipas të dhënave të para që i kemi, sepse sot vetëm se ka filluar dorëzimi i dokumenteve dhe këto janë të dhënat e para që i kemi. Momentalisht kanë aplikuar diku rreth 1000 kandidatë. Presim në ditët në vijim që ky numër të jetë edhe më i madh. Sigurisht që universitetet publike akoma mbeten në rang të parë të kandidatëve për shkak të ofertës akademike që ofron shumë zgjedhje, ka kuotë shtetërore dhe zgjedhja është më e madhe. Ofrohen shumë fusha të ndryshme studimi dhe kualifikimi që me të vërtetë i nevojiten tregut të punës në vendin tonë dhe në botën e jashtme” – shtoi mes tjerash Prof. Dr. Ibrahim Neziri.
Universiteti ynë këtë vit për herë të parë do regjistrojë studentë edhe në disa programe të reja të akredituara, të cilat janë të përshtatura komplet me tregun e punës. Për të gjitha vendet e paplotësuara në afatin e parë, Universiteti i Tetovës do të shpall konkurs për plotësimin e tyre dhe do të realizojë edhe afatin e dytë për regjistrim e studentëve të rinj në ciklin e parë të studimeve në këtë vit akademik.

Story i mëparshëm

Mbaruan pushimet, deputetët prej nesër në punë

Story i radhës

Haraçinë, nisi zhvendosja e orëmatësve të energjisë elektrike

Të fundit nga