Universiteti Gallaudet, diplomohen të shurdhërit dhe personat me vështirësi në dëgjim

min lexim

Universiteti Gallaudet në Uashington organizoi ceremoninë e parë të diplomimit që kur filloi pandemia COVID-19 në vitin 2020. Ky është i vetmi universitet në botë ku studentë të shurdhër, të verbër dhe me vështirësi dëgjimi jetojnë dhe mësojnë njëkohësisht në dy gjuhë, në anglisht dhe në Gjuhën e Shenjave. Ndër folësit kryesorë në ceremoni ishin drejtori ekzekutiv i kompanisë Apple, Tim Cook, si dhe aktorja e vlerësuar me çmimin Oskar, Marlee Matlin.

Mbi 200 studentë të nivelit universitar si dhe rreth 180 studentë pasuniversitarë, nga komuniteti i të shurdhërve, të verbërve dhe atyre me vështirësi dëgjimi, u mblodhën në auditorin e Universitetit Gallaudet në Uashington për të kremtuar momentin e diplomimit.

Studentë të vitit 2022, ja dolët mbanë! Në këtë ditë, në këtë moment, tek kjo arritje që nuk ishte kurrë e garantuar. Çdo brez që do të diplomohet përballet me sfida. Por mendoj se është e drejtë të themi se ju u përballët me më shumë sfida se të tjerët“, tha në fjalën e tij Tim Cook, drejtor ekzekutiv i kompanisë “Apple”.

Drejtuesi i kompanisë “Apple” lavdëroi studentët për vendosmërinë në përfundimin e studimeve të tyre, megjithëse pandemia COVID-19 i detyroi shumë prej tyre të largoheshin nga kampusi universitar, ku siç tha ai, gjetën një ndjesi të thellë pranimi dhe komuniteti, ndoshta për herë të parë në jetën e tyre.

Aktorja Marlee Matlin, fituese e çmimit Oskar për rolin e nënës në filmin CODA, filmi që po ashtu u nderua me Oscar edhe si filmi më i mirë i vitit, u foli studentëve për faktin se vlerësimi që iu bë filmit ndihmoi për të rritur ndërgjegjësimin për kulturën e të shurdhërve dhe krijoi vend në radhët e Hollivudit edhe për trupën e aktorëve, përgjithësisht të shurdhër, të këtij filmi.

“Pikë së pari, filmi ynë u prodhua me titra për të gjithë audiencën. Pastaj patëm përkthyes në të gjitha aktivitetet, në të gjitha intervistat virtuale, në të gjitha skenat dhe në të gjitha ceremonitë e çmimeve. Dhe më e rëndësishmja, komuniteti ynë u konsultua në çdo hap, për t’u siguruar që ishim të përfshirë. Si përfundim, CODA fitoi tre çmime Oskar. Aktorin më të mirë në rolin mbështetës, skenarin më të mirë dhe filmin më të mirë!”, u shpreh zonja Marlin në gjuhën e shenjave.

Aktorja Lauren Ridloff, e cila u vlerësua me një doktoraturë nderi, foli për katër shtyllat e suksesit të saj – këmbënguljen, përshtatshmërinë, përkushtimin dhe ndjeshmërinë.

Gjithçka që duhet të bëni është që të gjeni ritmin tuaj në jetë. Por çfarë do të thotë realisht të gjeni ritmin tuaj? Do të thotë që të bëni diçka me një shpejtësi që është e qëndrueshme dhe që ju lejon të vazhdoni, pa ju lodhur shumë”, tha ajo.

Presidentja e Universitetit Gallaudet, Roberta Cordano, u dorëzoi diplomat studentëve.

Qëndroni krenarë për atë çfarë jeni. Ju si individë të shurdhër, si pjesë e komunitetit që flet me shenja, bëhuni ju ndryshimi! Ndërtoni komunitetin tonë! Angazhohuni thellësisht me të tjerët dhe kujdesuni për veten dhe për të tjerët. Të diplomuarve të vitit 2022 dhe të gjithë neve në këtë sallë – ecni përpara dhe bëni gjëra të mira”, tha në fjalën e saj zonja Cordano.

Të diplomuarit shijuan momentin me miqtë dhe familjen. Ndër ta është Moza Said Salim Al Maqbali, nga Omani. Ajo di gjashtë gjuhë të ndryshme shenjash dhe shpreson të bëhet mësuese në Oman.

Është shumë ndryshe këtu. Do të doja të bëja disa ndryshime në atdhe. Për lëndët tona mësimore do të merrja në konsideratë fushëpamjen dhe mënyrën se i ulim në klasë të shurdhërit. Do të sigurohesha që në klasat e mia të jepet mësim në mënyrë vizuale dhe duke ndihmuar të shurdhërit. Janë gjëra për të cilat dua të influencoj patjetër kur të kthehem në atdhe“, thotë Moza.

Ajo është femra e parë myslimane që merr diplomë universitare në familjen e saj, si dhe studentja e parë nga Omani në Universitetin Gallaudet.

Andrew Makarewicz u diplomua me rezultate të larta për biologji dhe kimi. Edhe ai dëshiron të përmirësojë kujdesin shëndetësor për të shurdhërit dhe personat që kanë vështirësi në dëgjim.

Mendoj se komuniteti i të shurdhërve është vërtet i shumëllojshëm. Ka njerëz që u rritën me prindër të shurdhër dhe anëtarë të shurdhër të familjes. Ka njerëz që u rritën me familjarë, që dëgjojnë dhe nuk e kishin mësuar gjuhën e shenjave përpara se të vinin në Universitetin Gallaudet. Pra, secili vjen këtu në mënyrën e tij, dhe unë mundohem të vë në përdorim pikat e mia të forta dhe prejardhjen nga e cila vij”, thotë ai./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Hardisqet 30TB tashmë një realitet

Story i radhës

Caitlyn Jenner, e tronditur që Kourtney nuk e ftoi në dasmë

Të fundit nga