Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) njoftoi se 333 milionë fëmijë, afërsisht çdo i gjashtë fëmijë në botë, jetojnë në varfëri ekstreme, raporton Anadolu.
UNICEF-i dhe Banka Botërore kanë përgatitur së bashku një raport të titulluar “Fëmijët që jetojnë në varfëri sipas kufirit ndërkombëtar të urisë”.
Raporti thekson se numri i fëmijëve që jetojnë nën pragun e 2,15 dollarëve në ditë, që konsiderohet si “varfëri ekstreme”, ka shënuar rënie me 13 për qind nga 2013 në 2022, nga 383 në 333 milionë.
Raporti shton se në takimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që do të fillojnë në New York javën e ardhshme, gjithashtu do të diskutohen Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së.
Nëse vazhdohet me këtë ritëm, synimi për t’i dhënë fund varfërisë së fëmijëve deri në vitin 2030 nuk do të arrihet, thuhet më tej.
Raporti potencon se rajoni i Afrikës subsahariane bart barrën më të rëndë të fëmijëve të varfër, 40 për qind e fëmijëve në varfëri ekstreme në botë jetojnë në këtë rajon.
Shkalla e varfërisë së fëmijëve në këtë rajon, e cila ishte 54.8 për qind në vitin 2013, u rrit në 71.1 për qind në vitin 2022, thuhet në raport.
UNICEF-i dhe Banka Botërore u bënë thirrje qeverive dhe palëve të interesuara që t’i japin prioritet kësaj çështjeje për t’i dhënë fund varfërisë së fëmijëve.