Dyzet kilometra larg kufirit rus, qyteti ukrainas i Kharkivit po përballet me sulme të vazhdueshme ruse, që nga fillimi i luftës më 24 shkurt. Pothuajse i rrënuar, Kharkivi është duke u rindërtuar, që kur forcat ukrainase çliruan rajonin dy muaj më parë. Tani ky rajon është kthyer në simbol të vullnetit të ukrainasve për të mbijetuar. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anna Chernikova, nga Kievi dhe Stephen Boitano nga Kharkivi, sjellin materialin në vijim.
Këto rrënoja i përkasin Saltivkas, një nga zonat më të populluara në Kharkiv. Pjesa veriore e lagjes është rreth 40 kilometra nga kufiri me Rusinë.
Është e vështirë të gjesh një shtëpi të padëmtuar.
Banori Viktor Monakhov, së bashku me vullnetarë të tjerë, ndihmuan në evakuuimin e civilëve në fillim të luftës. Ai ironizon portretizimin e pushtuesve rusë nga presidenti Vladimir Putin si “vëllezër çlirimtarë”.
“Nga çatitë e këtyre shtëpive shihet kufiri me Federatën Ruse prej nga erdhën raketat e para. Ju mund të shihni shkatërrimin, pasojat e kësaj ‘dashurie vëllazërore’”, tha me ironi banori Viktor Monakhov.
Ukrainasit e çliruan Kharkivin në shtator. Por, sulmet me raketa po vazhdojnë.
“Rusët nuk ndalen duke goditur infrastrukturën. Kjo fatkeqësisht do të vazhdojë deri në fitoren përfundimtare”, tha zoti Monakhov.
Oleksiy jetonte në lagjen Saltivka me familjen e tij. Biznesi i tij u shkatërrua nga bombardimet e forcave ruse.
“Shisja rroba për fëmijë në dyqanin tim. Dyqani u sulmua që në ditët e para dhe tregu u shkatërrua plotësisht”, thotë Oleksiy
Oleksiy tani është vullnetar duke ndihmuar ushtrinë dhe banorët të luftojnë kundër pushtimit rus.
Kharkivi është afër kufirit me Rusinë dhe për këtë po paguan një çmim të lartë.
“Ka vështirësi për të siguruar mbrojtjen ajrore. Jemi në rrezik nga raketat dhe raketa-hedhëset”, thotë një nga mbrojtësit e Kharkivit, Vladyslavi.
Kharkivi është qyteti i dytë më i madh i Ukrainës dhe historikisht, banorët e tij kanë patur qëndrime pozitive për Rusinë.
Por kjo filloi të ndryshojë në vitin 2014 me luftën në Donbas dhe aneksimin e Krimesë. Në vitin 2022, bombardimet e pamëshirshme të Rusisë, jo vetëm që shkatërruan pjesën më të madhe të qytetit, por edhe çdo gjurmë të vullnetit të mirë që kishte mbetur./VOA