Kanë kaluar me veturë mbi 2.000 kilometra nga Harkovi deri në Shkup për ta shpëtuar familjen nga sulmet e Rusisë. Ukrainasja Ivana me djalin e mitur dhe prindërit e saj tashmë 9 muaj me radhë qëndrojnë në vendin tonë në një banesë të të njohurve të saj. Ajo thotë se nuk dëshiron që njerëzit t’i shohin si kërkues azili ose persona të varfër, pos si njerëz të cilët janë nevojë për ndihmë të përkohshme për ta shpëtuar jetën e tyre. Problemi i vetëm i Ivanës, është mungesa e sigurimit shëndetësor dhe së drejtës për të punuar në vend.
“Kur erdhëm këtu, kishim plot probleme. Njëri prej tyre ishte akomodimi. Problem tjetër është sigurimi shëndetësor. Të gjithë që erdhëm këtu jemi nëna me fëmijë, kemi persona të moshuar, pensionistë, njerëz në moshë të shtyrë që kërkojnë sigurim shëndetësor. Nënës sime këtu i bënë edhe operacion. Operacionin e bëmë me para tona. Problem tjetër është se nuk kemi të drejtë që të punojmë. Me dokumentet që na i dhanë këtu në Maqedoni, nuk kemi të drejtë për të punuar“, tha Ivana, shtetase e Ukrainës.
Edhe nga Shoqata e Juristëve të Rinj, e cila tashmë 15 vite punon me refugjatë dhe azil-kërkues në vend, konfirmojnë se halli më i madh i shtetasve ukrainas që qëndrojnë në Maqedoni është sigurimi shëndetësor dhe përfshirja e tyre në tregun e punës. Igor Stojçevski, nga kjo Shoqatë, thotë se pas pushtimit ushtarak të Rusisë në Ukrainë, vendi ynë ka vonuar me aktivizimin e mekanizmit për mbrojtje të përkohshme dhe refugjatët ukrainas i ka trajtuar si turistë.
“Në shumicën e rasteve, personat që kanë ardhur nga Ukraina theksojnë se problemi kryesor është realizimi i të drejtave për punësim, e pastaj këtu janë edhe problemet me sigurimin shëndetësor. Gjithashtu, këta persona s’kanë mundësi të marrin mbrojtje shëndetësore falas. Personat që kanë ardhur nga Ukraina nga fillimi i luftës e deri më sot…. domethënë fatkeqësisht RMV-ja nuk e aktivizoi mekanizmin për dhënie të mbrojtjes së përkohshme sipas Ligjit për Mbrojtje të Përkohshme dhe Ndërkombëtare dhe këta persona i trajtoi si turistë derisa nuk e rregullojnë statusin e tyre në përputhje me Ligjin për të Huajt”, theksoi Igor Stojçevski, Shoqata e juristëve të rinj.
Deri më tani është apeluar shumë herë që këta persona të mos trajtohen si turistë, sepse bëhet fjalë për njerëz që kanë ikur nga lufta, bombardimet dhe kërcënimi i drejtpërdrejtë për jetën e tyre, prandaj marrja e vendimeve që t’u jepet status me të cilin do t’i realizonin të drejtat e tyre ka rëndësi të madhe. Nga Qeveria thonë se Ligji për të Huajt definon çështjet për rregullimin e statusit “i huaj”, mes të cilave edhe çështjen për “rregullimin e qëndrimit në bazë të punës”.
“Personat nën mbrojtje subsidiare kanë të njëjtat të drejta dhe detyra me të huajt që kanë leje për qëndrim të përkohshëm në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përveç nëse nuk është përcaktuar ndryshe me këtë ose me ndonjë ligj tjetër. Pas marrjes së një vendimi pozitiv në lidhje me kërkesën e paraqitur për azil, personat mund të marrin statusin e refugjatit ose të personit nën mbrojtje subsidiare, por kërkesa të tilla nuk ka”, thonë nga Qeveria.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në vendin tonë qëndrojnë 6.386 qytetarë ukrainas, edhe atë 505 prej tyre në bazë të qëndrimit të rregulluar të përkohshëm, ndërsa statusi i 375 personave të tjerë është rregulluar për arsye humanitare. Nga fillimi i luftës në Ukrainë e deri më tani, vetëm katër persona kanë aplikuar për azil në Maqedoni, të cilët pastaj kanë tërhequr kërkesën dhe kanë hequr dorë nga procedura për njohjen e së drejtës për azil. Nga shkurti deri në nëntor të këtij viti, në vendet evropiane janë regjistruar 7.8 milionë refugjatë nga Ukraina. 4.7 milionë ukrainas kanë mbrojtje kombëtare të përkohshme ose të ngjashme në Evropë.
Burimi:________