Ukrainasit përballë kërcënimit të luftës

January 26, 2022
min lexim

Kur arriti në kryeqytetin ukrainas në tetorin e kaluar, John Vsetecka planifikoi të qëndronte një vit në Ukrainë pasi fitoi bursën Fulbright për një periudhë njëvjeçare. Ai planifikoi që të gërmonte në arkivat që datojnë nga epoka sovjetike, për të hulumtuar periudhën e urisë në vitet 1930, që njihet si Holodomor. Ky hulumtim do ta ndihmonte atë për punën e doktoraturës që po kryen në Universitetin Shtetëror të Miçiganit.

Ai ka qenë i vetëdijshëm për dislokimin masiv të forcave ruse pranë kufijve të Ukrainës, prandaj ai tha se nuk ishte befasi kur Ambasada amerikane njoftoi se do të evakuonte disa familjarë të diplomatëve dhe përfituesit e bursës prestigjioze Fulbright.

“Disa mendojnë se nuk është zgjidhja e duhur, të tjerët thonë se ishte vendim i shpejtë dhe i tepruar. Unë nuk pretendoj se e di se cila lëvizje është e duhur në këtë moment, por e kuptoj nevojën për të ofruar një rrugëdalje për ata që duan të largohen”, tha Vsetecka për Radion Evropa e Lirë.

Njoftimi i 23 janarit, që u pasua me paralajmërime të ngjashme nga Britania, Australia, Gjermania dhe më vonë edhe Kanadaja, zuri në befasi shumë shtetas amerikanë. Po ashtu, tronditi ukrainasit, për shumë prej të cilëve, sinjalet për një luftë “të re” ishin zbehur nga fakti se shteti veçse është i zhytur në një luftë gati 8-vjeçare kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia në rajonin lindor të njohur si Donbas.

“Më shumë njerëz duket se po e diskutojnë luftën dhe kërcënimet e mundshme, por ende po i thonë këto nën zë. Rritja e konsiderueshme e armatimit – nga SHBA-ja, Rusia dhe të tjerët – është e vështirë të injorohet”, tha Vsetecka përmes një përgjigje dërguar me e-mail, teksa tregoi se po bëhej gati që të largohej nga Ukraina këtë javë.

“Njerëzit duan të shprehin frikën dhe ankthin e tyre, por nuk duan të akuzohen për reagim të tepruar. Mendoj se kështu ndjehemi të gjithë deri diku. Narrativët konkurruese të lajmeve nuk ndihmojnë në këtë situatë”.

Për shumicën e shtetasve amerikanë, largimi nga Ukraina është i mundshëm, megjithëse është një proces i mundimshëm. Në një takim virtual të organizuar nga Ambasada amerikane në Kiev më 25 janar, zyrtarët u përballën me pyetje të shumta lidhur me vizat, financimin, fluturimet e evakuimit dhe për perspektivën e një përshkallëzimi të madh ushtarak.

‘Kujdes i tepruar’

Për familjet ukrainase veçse ka një paralajmërim. Që nga dhjetori, monedha kombëtare, hryvnya ka humbur vlerën për rreth 5 për qind kundrejt dollarit. Normat e huamarrjes për Qeverinë ukrainase janë rritur më shumë se dyfish.

Që prej njoftimit të SHBA-së, hryvnya, ka rënë për gjysmë pikë të përqindjes.

Zyrtarët e Qeverisë ukrainase, duke nisur nga presidenti Volodymyr Zelenskiy e të tjerët, janë përpjekur që të qetësojnë situatën.

“Çfarë ka të re? A nuk ka qenë ky realiteti për tetë vjet? A nuk ka nisur pushtimi më 2014?”, tha Zelenskiy në një video-adresim drejtuar kombit më 19 janar, duke iu referuar luftës që ka lënë të vrarë mbi 13,000 luftëtarë dhe civilë në Donbas. “Gjithçka është nën kontroll. Nuk ka arsye për panik”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Oleh Nikolenko tentoi që të qetësonte frikën pas njoftimit të SHBA-së, duke sugjeruar se evakuimi ishte i panevojshëm.

“Përderisa ne respektojnë të drejtën e shteteve të huaja që të ofrojnë siguri për misionet e tyre diplomatike, ne besojmë se hapa të tillë janë të parakohshëm dhe një kujdes i tepruar”, tha Nikolenko në një postim në Twitter më 24 janar.

Viktor Andrusiv, që drejton Shkollën e Kievit për Administratë Publike, tha se ai e ndan shoqërinë ukrainase në tri grupe: ata që aktivisht po përgatiten për një luftë më të gjerë; ata që nuk besojnë se ka gjasa të ndodhë një luftë e shkallës së gjerë dha ata që presin për më shumë sinjale, më shumë të dhëna për njërën apo tjetrën mundësi.

“Njerëzit janë më shumë të shqetësuar për çmimet e gazit [pasi me gaz ngrohin shtëpitë e tyre], janë të shqetësuar për hryvnyan”, tha Andrusiv për Radion Evropa e Lirë. “Ukrainasit, njerëzit janë më të fokusuar në këto çështje, e jo në luftë”.

Zelenskiy dhe zyrtarët e tjerë qeveritarë “duhet të bëjnë deklarata për të qetësuar popullin”, tha ai. “Është një problem ekonomik – ata nuk duan që qytetarët të vrapojnë në dyqane, prandaj ata po flasin kështu”.

“Kjo nuk do të thotë se ata nuk e kuptojnë problemin. Ju siguroj se ata e kuptojnë plotësisht thelbin e problemit”, tha ai. “Shumë gjëra po ndodhin, por në mënyrë të heshtur, me qëllim që të shmanget paniku”.

“Do të ikim në shtëpinë e pushimeve”

Natalya, 33-vjeçare, që punon në ndërrimin e natës në një dyqan të vogël ushqimor pranë stadiumit Olympiskiy në Kiev, tha se i dukej se më shumë njerëz, përfshirë edhe konsumatorë, po flisnin gjithnjë e më hapur për mundësinë e një ofensive të re ruse.

Ajo tha se së bashku me familjen e saj po nervozohen teksa po lexojnë deklaratat e zyrtarëve, titujt e gazetave dhe po shikojnë lajmet televizive. Në rast të një pushtimi të shkallës së gjerë, ata planifikojnë të largohen nga qyteti dhe të shkojnë në shtëpinë e prindërve në një fshat në jugperëndim të Kievit.

“Ne do të shkojmë në shtëpinë e pushimit. Atje ka ushqim, kemi mbjellë në kopsht. Ka sheqer, drithë dhe gjëra të tjera”, tha ajo, e cila nuk dëshiroi të tregonte mbiemrin e saj. “Atje do të jemi mirë”.

Në Kharkiv, qytetin e dytë më të madh në Ukrainë, që gjendet 50 kilometra nga kufiri rus dhe gjendet përgjatë një autostrade të rëndësishme, disa banorë të intervistuar para njoftimit të Ambasadës amerikane, nuk ishin shumë të shqetësuar.

“Nuk është diçka që do të doja të ndodhte”, tha një person për Shërbimin Ukrainas të REL-it, duke mos u identifikuar. “Përtej kësaj, çfarë tjetër mund të bësh. Kam shkrepëse, kam kripë e sheqer”.

“Do të lutem me lot në sy që [një luftë e re] të mos ndodh”, tha një grua, që u prezantua me emrin Halyna. “Ata thonë se një paqe e keqe është më e mirë se një luftë e mirë. Nëse nuk e dini se çfarë është lufta, nuk mund të jeni indiferent për të”.

Ndërkaq, teksa disa shtetas amerikanë po tentojnë që të gjejnë mënyra për t’u larguar nga Ukraina, autoritetet amerikane dërguan armë dhe furnizime ushtarake në këtë shtet. Një dërgesë arriti në aeroportin Boryspil të Kievit më 25 janar dhe në dërgesë u përfshin dhjetëra raketa anti-tank Javelin, municione dhe pajisje të tjera.

Herb Randal, një amerikan nga New Hamshire, tha se ka udhëtuar për në Lviv që prej shtatorit, por herën e fundit erdhi në këtë qytet më 2 janar, teksa ai dhe e fejuara e tij ukrainase po përpiqeshin që të mblidhnin dokumentet e nevojshme që ajo të aplikojë për vizë amerikane.

Ai tha se po ashtu ishte duke themeluar një biznes për të ndihmuar sektorin në rritje të teknologjisë informative në Ukrainë.

“Ndjenja ime është se njoftimi i SHBA-së përqendrohet në mendjen e më shumë personave sesa kam parë deri më tani”, tha ai për Radion Evropa e Lirë. “Për fat të keq mendoj se ukrainasit janë kaq të prekur nga lufta dhe dhuna që nga viti 2014, saqë ideja se Rusia mund ta pushtojë nuk kualifikohet si ‘lajm’ nga shumë njerëz”.

Ai tha se kishte planifikuar të qëndronte në Lviv deri në fund të janarit: “Por, urdhri për evakuim më bëri të kuptoj se ndoshta do të ishte më mirë nëse unë largohem sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Ai rezervoi një biletë për fluturim në Frankfurt më 25 janar.

“Shumë amerikanë, dukshëm më shumë sesa shoh zakonisht janë në këto fluturime”, tha ai./REL

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Shqiptarët e Ukrainës gati për luftë: Nuk i harrojmë traditat tona, jemi luftarak

Story i radhës

5 truke se si t’i jepni fund marramendjes

Të fundit nga

ShkoLartë