Shërbimi Sekret i Ukrainës ka njoftuar se ushtari rus i zënë rob gjatë luftimeve në rajonin e Khersonit gjatë këtij muaji, ka lidhje me krimet e kryera në Bucha në afërsi të Kievit.
Ky shërbim ka konfirmuar se ushtari rus i zënë rob së bashku me ushtarët e tjerë rusë, nga vetura kishte shtënë me mitraloz në drejtim të autostradës në afërsi të fshatit Zdizhivka në Bucha.
Si pasojë shoferi i një veture civile kishte mbetur i vdekur në vend, kurse ushtarët rusë duke tentuar të fshehin gjurmët e krimit, kishin marrë trupin e pajetë dhe e kishin varrosur në pyje.
Gjithashtu është bërë e ditur se kufoma e zhvarrosur e shoferit, i është dorëzuar autoriteteve kompetente për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Në anën tjetër, Kremlini ka urdhëruar mobilizimin e pjesshëm, kjo pasi duket se presidentit Vladimir Putin nuk i kanë dalë mirë llogaritë sepse numri i ushtarëve të vrarë rusë është tejet i madh, dhe tani ka nevojë më shumë për personel ushtarak.
Këtë e dëshmon më së miri edhe fakti që Kremlini së fundmi urdhëroi tërheqjen e disa trupave nga rajonet që dikur i kishin kontrolluar, pasi kundërofensiva e ukrainasve po del të jetë shumë e fortë për ta.