Ukraina thërret ambasadorin pasi presidenti bjellorus u takua me kreun separatist të Donetsk-ut

Ukraina ka thirrur ambasadorin e saj në Bjellorusi pas takimit midis presidentit bjellorus Alexander Lukashenko dhe kreut të pjesës së kontrolluar nga Moska të rajonit separatist ukrainas Donetsk, transmeton Anadolu.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Ukrainës dënon takimin e 18 prillit të Alexander Lukashenkos në Minsk me Denis Pushilin si një përpjekje për të legjitimuar këtë përfaqësues të administratës pushtuese ruse në Donetsk”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Ukrainës.

Kievi e konsideron takimin si “një akt tjetër dhe flagrant jomiqësor” nga ana e Bjellorusisë kundër Ukrainës, thuhet në deklaratë, duke shtuar se ky akt synon të mbështesë Rusinë.

Pushilin “fshihet nga hetimi ukrainas për kryerjen e krimeve të rënda dhe është nën sanksione ukrainase dhe ndërkombëtare”, thuhet më tej në deklaratë.

Kievi zyrtar gjithashtu vendosi të thërrasë ambasadorin ukrainas në Bjellorusi Ihor Kyzym për konsultime dhe i kërkoi Minskut zyrtar të “përmbahet nga hapa të tillë shkatërrues dhe të ndalojë mbështetjen e luftës agresive të Rusisë kundër Ukrainës”.

Të martën, Lukashenko u takua me Pushilin, përfaqësuesin e rajonit separatist të Donetskut, një nga katër rajonet e Ukrainës që iu bashkuan Rusisë pas mbajtjes së referendumeve shtatorin e kaluar, të cilat u dënuan gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar.

Vendet evropiane dhe SHBA i kanë quajtur referendumet “të rreme” dhe thanë se ato janë një shkelje e ligjit ndërkombëtar.





Story i mëparshëm

Google sfidon Samsung me smartfonin e parë me ekran me palosje

Story i radhës

Namazi i Fitër Bajramit falet të premten në orën 06:23

Të fundit nga