Ukraina: Rusia sulmoi me dronë objektet e magazinimit të drithit në Odessa

min lexim

Si pasojë e një sulmi që Rusia zhvilloi me mjete ajrore pa pilot (dronë) në orët e natës ndaj rajonit Odessa, janë dëmtuar objektet e magazinimit të drithit, transmeton Anadolu.

Oleg Kiper, kreu i administratës ushtarake të rajonit Odessa, në një deklaratë nga llogaria e tij në median sociale theksoi se Rusia kreu sulm me dronë për 3 orë gjatë natës ndaj pjesës jugore të rajonit Odessa.

“Objektivi i ushtrisë ruse është infrastruktura e rajonit”, u shpreh Kiper, i cili shtoi se forcat e mbrojtjes ajrore të Ukrainës shkatërruan nëntë dronë të llojit Shahed.

“Fatkeqësisht janë goditur objektet e prodhimit dhe ngarkimit, si dhe u shkaktua zjarr në një sipërfaqe prej 700 metra katrorë. Zjarri u vendos nën kontroll që nga ora 06.59”, njoftoi Kiper.

Po ashtu Kiper bëri të ditur se në sulme nuk ka humbje jete.

Edhe kreu i administratës ushtarake të rajonit Kherson, Oleksandr Prokudin, në një postim nga llogaria e tij në median sociale ka vënë në dukje se njësitë ruse në orët e mëngjesit kanë lëshuar dy raketa të drejtuara ndaj një kopshti fëmijësh dhe banesave në Kherson dhe se në sulm u plagosën gjashtë persona.

Në një deklaratën nga Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës thuhet se Rusia brenda një dite ka kryer katër sulme me raketa dhe 58 sulme ajrore kundrejt territoreve të Ukrainës.

“Në vijën e frontit kanë ndodhur mbi 30 konflikte”, thuhet në deklaratë, ku bëhet e ditur se ushtria e Ukrainës vazhdon të zmbrapsë sulmet ruse në drejtim të Avdiivka dhe Marinka.

Ndër të tjera në deklaratë thuhet se forcat ajrore të Ukrainës në 24 orët e fundit kanë kryer 11 sulme në zonat ku janë përqendruar ushtarët rusë dhe 2 sulme ndaj sistemeve të mbrojtjes raketore ruse.





Story i mëparshëm

Meta do të aktivizojë automatikisht enkriptimin fundor për të gjithë përdoruesit e Messenger nga fundi i vitit

Story i radhës

​Doku mund të konsiderohet lojtar i ri i Cityt

Të fundit nga