Ukraina godet agresorin rus me raketa me rreze të gjatë veprimi

Biden miratoi ndihmën prej 61 mld dollarësh, ministri i Jashtëm ukrainas: Nuk do të mjaftojë për të fituar ndaj Rusisë


Ministri i Jashtëm ukrainas Dmitry Kuleba ka vlerësuar vendimin e Senatit të SHBA për të miratuar një paketë financimi prej 61 miliardë dollarësh, por paralajmëroi se nuk do të jetë e mjaftueshme për të bërë një ndryshim në fushën e betejës.

Pas disa muajsh kundërshtim, republikanët iu dorëzuan demokratëve në pushtet dhe mbështetën propozimin e ndihmës së Shtëpisë së Bardhë në një votim 79-18 të martën mbrëma.

Asnjë paketë e vetme nuk mund t’i ndalë rusët,” u shpreh Kuleba. “Ajo që do t’i ndalojë rusët është një front i bashkuar i të gjithë Ukrainës dhe të gjithë partnerëve të saj”, shtoi ai.

Qëndrimi i Kuleba-s përputhet me zëdhënësin e Kremlinit Dmitry Peskov, i cili gjithashtu deklaroi se armët dhe municionet që SHBA dhe aleatët e saj i japin Kievit nuk do të ndryshojnë ” dinamikën në vijën e parë”, ku forcat ruse kanë bërë përparime të rëndësishme javët e fundit.

“Ukraina, një oligarki”, aleati i Putinit shpërthen ndaj Kievit: Të gjithë liderët interesohen vetëm të vjedhin vendin


Presidenti bjellorus Alexander Lukashenko ka shpërthyer ndaj Kievit duke thënë se Ukraina është shndërruar në një oligarki dhe të gjithë liderët e saj janë të interesuar vetëm të “vjedhin” vendin dhe të pasurohen.

Lukashenko i bëri komentet të mërkurën gjatë një fjalimi në një mbledhje e zyrtarëve të profilit të lartë dhe figurave publike. Lukashenko shpërtheu kundër vendit fqinj, duke akuzuar presidentët dhe “oligarkët” e tij për vjedhjen e pasurisë së Ukrainës.

Procesi filloi menjëherë pasi Ukraina u bë një shtet i pavarur pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe është përkeqësuar me kalimin e kohës, argumentoi Lukashenko.

“Vetëm mendo – një vend i begatë. Toka është pjellore, gjysma e tabelës periodike në tokën e saj, dy dete, miniera, gjigantë industrialë. Njerëzit janë krijues, punëtorë. Jetoni, jini të lumtur dhe pasurohuni. Dhe ata u pasuruan, por vetëm shumë pak, në traditat shumë ‘më të mira’ të demokracive të Evropës Perëndimore, ” tha ai.

Italia do të nënshkruajë një marrëveshje me Kievin dhe UNESCO-n për rindërtimin e Odesa-s dhe katedrales së saj


Italia do të nënshkruajë një marrëveshje me Ukrainën dhe agjencinë kulturore të Kombeve të Bashkuara UNESCO për të rindërtuar qytetin e Odesës dhe katedralen e saj, e cila u dëmtua rëndë nga një sulm rus, tha Ministri i Jashtëm Antonio Tajani .

Ukraina tha se katedralja ortodokse u dëmtua kur u godit gjatë një sulmi me raketa ruse në qytetin port jugor të vendit në korrik të vitit të kaluar. Rusia mohoi përgjegjësinë.

“Më 15 maj ne do të nënshkruajmë një marrëveshje me Kievin dhe UNESCO-n këtu në Romë për rindërtimin e Odesa-s dhe katedrales së saj,” tha Tajani.

Në shkurt, Italia dhe UNESCO kishin nënshkruar tashmë një marrëveshje në Kiev për të ofruar 500 milionë euro (534.45 milionë dollarë) për restaurimin e çatisë së katedrales Spaso-Preobrazhenskyi të Odesës.

“Si presidencë e G7 , ne vazhdojmë të punojmë për një paqe të drejtë,” u tha Tajani ligjvënësve, duke shtuar se mbështetja e sistemit energjetik të Ukrainës ishte gjithashtu një përparësi për Italinë.

Roma mban presidencën e rradhës të vendeve të pasura të Grupit të Shtatë (G7) deri në fund të këtij viti.

Ukraina godet agresorin rus me raketa me rreze të gjatë veprimi


Ukraina ka filluar të përdor për herë të parë raketa balistike me rreze të gjatë veprimi të siguruara nga Shtetet e Bashkuara në fshehtësi. Zyrtarë amerikanë thanë të mërkurën se ushtria ukrainase goditi javën e kaluar një aeroport ushtarak rus në Krime si dhe forcat ruse gjatë natës në një zonë tjetër të pushtuar.

Ukraina kishte kërkuar prej kohësh furnizimin me raketat e reja që dyfishojnë rrezen e veprimit në një gjatësi deri në 300 kilometra. Tetorin e shkuar Shtetet e Bashkuara i dhanë Ukrainës raketa me rreze më të shkurtër veprimi. Një nga zyrtarët tha se Shtetet e Bashkuara po i ofrojnë Ukrainës më shumë raketa me rreze të gjerë veprimi në bazë të një pakete ndihme të nënshkruar nga Presidenti Joe Biden të mërkurën.

Në muajin shkurt, Presidenti Biden miratoi planin për t’i dhënë Ukrainës një sistem raketash taktike, të njohura si ATACMS. Në muajin mars Uashingtoni përfshiu një numër të konsiderueshëm sistemesh të tilla në një paketë ndihme prej 300 milionë dollarësh, tha një zyrtar.

Dy zyrtarët amerikanë, të cilët folën në kushte anonimiteti përpara se dërgesa për Ukrainën të bëhej publike, nuk pranuan të jepnin numrin e saktë të raketave të dërguara muajin e kaluar, apo në paketën e fundit të ndihmave.

Për muaj të tërë, Uashingtoni nuk e pajisi Ukrainën me raketa me rreze të gjatë veprimi si rezultat i drojës se Kievi mund t’i përdorte ato për të goditur në brendësi të territorit rus, çka do ta zemëronte Moskën dhe do të çonte në përshkallëzim të konfliktit.

Kjo ishte arsyeja kryesore pse Uashingtoni i dha Ukrainës në tetor raketa me rreze të mesme veprimi, që kapin një distancë prej rreth 160 kilometrash.

Admirali Christopher Grady, nënkryetar i Shtatmadhorisë amerikane, tha të mërkurën se Shtëpia e Bardhë dhe planifikuesit ushtarakë shqyrtuan me kujdes rreziqet e ofrimit të raketave me rreze të gjatë dhe vendosën se tani ishte koha e përshtatshme.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Associated Press, ai tha se armët me rreze të gjatë veprimi do ta ndihmojnë Ukrainën që të eliminojë nyjet e logjistikës ruse dhe përqendrimet e trupave që nuk janë në vijën e frontit. Zoti Grady nuk pranoi të identifikonte se çfarë armësh specifike po i dërgoheshin Ukrainës, por tha se ato do të jenë “shumë shkatërruese nëse përdoren siç duhet, dhe unë kam besim se do të përdoren siç duhet”.

Të mërkurën, Presidenti Joe Biden miratoi projektligjin që parashikon 95 miliardë dollarë në ndihma për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin.

Zyrtarët ukrainas nuk kanë pranuar publikisht se kanë marrë apo kanë përdorur raketat me rreze të gjatë veprimi ATACMS. Por duke falenderuar Kongresin amerikan për miratimin e paketës së ndihmës të martën, Presidenti Volodymyr Zelenskyy vuri në dukje se “pajisjet ushtarake ukrainase me rreze të gjatë, artileria dhe mbrojtja ajrore janë mjete jashtëzakonisht të rëndësishme për rivendosjen e paqes”.

Një zyrtar i Shteteve të Bashkuara tha se administrata e Presidentit Biden e kishte paralajmëruar Rusinë se nëse Moska blinte ose përdorte raketa balistike me rreze të gjatë, Uashingtoni do ta furnizonte Kievin me raketa të të njëjtit lloj.

Rusia mori raketa të tilla nga Koreja e Veriut dhe i ka përdorur ato në fushën e betejës në Ukrainë, tha zyrtari, duke e nxitur administratën e Presidentit Biden që të jepte miratimin për dërgimin e raketave me rreze të gjatë veprimi.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Keni zbokth? Kjo maskë flokësh do t’ju shpëtojë

Story i radhës

Si ndikon sporti në shëndetin tonë?

Të fundit nga