Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës, Valerii Zaluzhnyi tha se kanë fuqinë e mjaftueshme për të fituar luftën që vazhdon kundër Rusisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zaluzhnyi përmes një video-mesazhi që ndau në orët e natës iu drejtua popullit dhe i uroi Krishtlindjet.
Duke tërhequr vëmendjen se lufta në vendin e tij vazhdon, Zaluzhnyi theksoi se populli po përjeton ditë të vështira për shkak të luftës. “Këto Krishtlindje kanë shijen e lotit dhe ngjyrën e gjakut”, tha ai.
Ai potencoi se Rusia i ka shpallur luftë vendit të tij. “Nuk e zgjodhëm ne luftën. Por, pranuam të luftojmë. Dhe Zoti është në anën tonë. Ne kemi fuqinë e mjaftueshme për të fituar kundër armikut. Një popull lind brenda luftës”, shtoi Zaluzhnyi.