Ukraina: Forcat ruse probleme të mëdha me furnizimet

April 17, 2022
min lexim

Ushtria ukrainase njoftoi të dielën se lëvizja e njësive ruse po vazhdon drejt territorit ukrainas nëpërmjet rajoneve Kursk, Bryansk dhe Voronezh, por se ato kanë probleme të mëdha në zinxhirin e furnizimit dhe me moralin e ushtarëve. Gjatë një takimi me gazetarët, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se krimet e rusëve ndaj civilëve rrezikojnë t’i japin fund procesit të negocimit.

Ushtria ukrainase tha të dielën se forcat ruse kanë probleme domethënëse me furnizimet dhe se ka pakënaqësi në rritje në radhët e ushtarëve që janë dislokuar në vijën e luftimeve.

Lëvizja e forcave ruse në territorin ukrainas nga rajonet Kursk, Bryansk dhe Voronezh po vazhdon. Njësitë e Federatës Ruse që gjenden në territorin ukrainas përballen me probleme domethënëse në furnizime… Në radhët e forcave pushtuese që gjenden përgjatë vijës së konfliktit të drejtpërdrejtë, pakënaqësia në radhët e personelit është në rritje, gjendja morale dhe psikologjike vazhdon të jetë në nivel të ulët. Ushtarakët rusë ankohen vazhdimisht për mungesën e rotacionit, për paisjet që prishen vazhdimisht dhe për cilësinë e karburantit dhe ushqimit me të cilat furnizohen”, tha Oleksandr Shputun, zëdhënës i shtabit ukrainas.

Zëdhënësi ukrainas konfirmoi se forcat ruse po vazhdojnë veprimet e dhunshme ndaj popullsisë vendase.

Në territoret përkohësisht të pushtuara, grabitjet dhe veprimet e dhunshme të personelit ushtarak rus ndaj popullsisë civile po vazhdojnë. Këto veprime inkurajohen nga komanda e tyre ushtarake”, tha zoti Shputun.

Duke biseduar me gazetarët, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se këto veprime të forcave ruse mund t’i japin fund procesit të negocimit.

Sa më të fortë që të jemi, aq më i mirë do të jetë rezultati i këtyre bisedimeve. Sa më shumë raste të ketë si në Borodyanka (me krime ndaj civilëve), aq më pak shanse ka për mbajtje negociatash, apo zbatim të tyre. Mendoj se ata (rusët) po bëjnë një gabim shumë të madh – shkatërrimi i të gjithëve njerëzve tanë në Mariupol, ajo çfarë po bëjnë tani, mund t’i japë fund çdo formati për negociata. Mendoj se ky është gabimi i tyre i madh…”, tha Presidenti Zelenskyy.

Si një kujtesë se asnjë pjesë e Ukrainës nuk është imune deri në përfundim të luftës, forcat ruse zhvilluan sulme të reja me raketa pranë Kievit dhe qyteteve të tjera, në përpjekje për të dobësuar kapacitetet ushtarake të Ukrainës, përpara sulmeve që pritet të rifillojnë në lindje të vendit.

Ushtria ukrainase tha se ka zmbrapsur ndërkohë dhjetë sulme të ndryshme në rajonet lindore.

Në territorin e rajoneve Donetsk dhe Luhansk, u zmbrapsën gjatë ditëve të fundit dhjetë sulme të armikut dhe u shkatërruan 15 tanke, 24 autoblinda, 10 automjete dhe tre sisteme artilerie të armikut. Grupi i Forcave Ajrore të Ukrainës goditi një ditë më parë 13 objektiva ajrore, një avion, një helikopter, pesë dronë dhe gjashtë raketa me vetëdrejtim”, tha zoti Shputun.

Sipas Presidentit Zelenskyy, vlerësohet se 2500 deri në 3 mijë ushtarakë ukrainas kanë humbur jetën në këtë luftë dhe se 10 mijë të tjerë janë plagosur./VOA

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

I dënuar me vdekje, i burgosuri zgjedh të pushkatohet

Story i radhës

“Kam frikë…”, Britney Spears tregon se si po ndihet pas lajmit të shtatzënisë

Të fundit nga

ShkoLartë