Gjenerali i ushtrisë ukrainase, Valeriy Zaluzhniy, i ka thënë homologut të tij amerikan, Mark Milley se Ukraina ka nevojë urgjente për të barazuar forcën në luftimet me Moskën, në mënyrë që ta “stabilizojë” situatën në rajonin Luhansk në lindje të Ukrainës, pasi sulmet intensive të Rusisë kanë rezultuar me largim të forcave ukrainase nga fushëbeteja në Severodonjeck.
“Ne kemi diskutuar situatën operacionale dhe rrjedhën e ndihmës teknike ndërkombëtare”, ka thënë Zaluzhniy pas bisedës telefonike me gjeneralin amerikan.
Kievi ka pranuar ndihmë në vlerë të miliarda dollarëve nga partnerët e Perëndimit, prej kur Moska ka nisur sulmin e paprovokuar kundër Ukrainës më 24 shkurt.
Megjithatë, liderët ukrainas besojnë se duhet më shumë ndihmë, pasi Rusia është duke avancuar në rajonin lindor Luhansk.
Më 24 qershor, kur lufta ka hyrë në muajin e katërt, forcat ukrainase janë urdhëruar që të largohen nga Severodonjecku, ku janë zhvilluar luftime të ashpra, dhe për pasojë qyteti është shndërruar në gërmadha.
Ukraina e konsideron tërheqjen si mundësi për t’u rigrupuar në pozicione të reja dhe për të shmangur numrin e viktimave, derisa Rusia e konsideron këtë zhvillim si fitore.
Rënia e Severdonjeckut, ku qindra civilë janë ende të bllokuar në një fabrikë të lëndëve kimike, e bën Lisiçanskun, qytetin e fundit të kontrolluar nga forcat ukrainase në rajonin Luhansk.
Një zyrtar ushtarak amerikan u ka thënë gazetarëve më 24 qershor se Uashingtoni nuk dëshiron të zbusë humbjet ukrainase, por që fitoret ruse duket se janë të kufizuara.
“Ajo çfarë po bëjnë forcat ukrainase është që po vendosen në pozicione ku mund të mbrohen më mirë”, ka thënë një zyrtar.
Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë më 25 qershor se “prej fillimit të qershorit, komanda e lartë ruse duket se ka hequr shumë gjeneralë nga pozitat kyçe për luftën në Ukrainë”.
Luftimet e ashpra nënkuptojnë që të dyja palët kanë çuar veten në limite, pasi Kievi vazhdimisht bën thirrje për më shumë armë të rënda nga Perëndimi, derisa Rusia përballet me vështirësi në dërgimin e personelit të kualifikuar në front të luftës.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra./REL