Kievi bëri një përparim të madh ushtarak në Ukrainën jugore të hënën.
Kështu shkruajnë mediat e huaja, sipas të cilave, trupat ukrainase rimorën fshatrat përgjatë brigjeve të lumit Dnipro në Ukrainën jugore, duke krijuar një front të madh që po e detyron Moskën të braktisë tokën e aneksuar vetëm disa ditë më parë.
Dhe sipas Reuters, përparimi në rajonin Kherson ishte më i madhi që ka bërë Kievi që nga fillimi i luftës në shkurt.
Një hap i tillë vjen si rezultat i përparimeve të ngjashme në lindje që kanë kthyer valën e luftës në javët e fundit, duke e shtyrë Rusinë të mobilizojë qindra mijëra trupa rezervë.
Përparimi i së hënës u konfirmua edhe nga një zyrtar i administratës së mbështetur nga Rusia në provincën Kherson, të cilën Rusia e kapi në fillim të luftës.
Vladimir Saldo tha se një numër vendbanimesh përgjatë lumit ishin marrë nga ukrainasit, duke arritur deri në fshatin Dudchany.
Kjo do të përfaqësonte një përparim prej rreth 40 km (25 milje) në një ditë të vetme.
Dhe në një nga imazhet e rralla që me sa duket konfirmon përparimin, Anton Gerashchenko, një këshilltar i ministrisë së brendshme të Ukrainës, postoi një foto të ushtarëve ukrainas duke pozuar me flamurin e tyre.
Gerashchenko tha se ishte fshati Mikhailivka, i cili do të përfaqësonte një përparim prej rreth 20 km (12 milje).