Ujgurët në Stamboll kërkojnë drejtësi për viktimat e zjarrit në Urumçi

December 2, 2022
min lexim

Mohammad Mehmet Ali humbi nënën dhe katër vëllezërit e motrat në një zjarr më 24 nëntor në Kinë. Ai ka protestuar kundër reagimit të Kinës ndaj incidentit. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai akuzoi autoritetet që nuk arritën të shuajnë zjarrin, i cili u përhap në një ndërtesë të banuar kryesisht nga pakica myslimane ujgure.

Dhjetra pjestarë të grupit etnik ujgur protestuan përpara Konsullatës Kineze në Stamboll më 30 nëntor për të kujtuar viktimat e zjarrit në një ndërtesë të lartë në qytetin Urumçi, në rajonin Xinjiang të Kinës.

Një nga protestuesit ishte Mohammad Mehmet Ali, i cili humbi nënën, Heyrinsahan Abdurahman dhe katër vëllezërit e motrat në zjarr. Hera e fundit që Aliu është takuar me familjen e tij në Kinë ishte në vitin 2016. Ai thotë për Zërin e Amerikës se vdekjen e tyre ai e mësoi në rrjetet sociale.

Në fillim nuk mund ta besoja. Dy ditë pas incidentit, pashë një fotografi të trupit të pajetë të nënës sime dhe motrës më të vogël. Në rrjetet sociale zbulova se ndërtesa jonë ishte djegur”.

Në vitin 2016 Aliu u largua nga Kina për të studiuar në Turqi, pasi Pekini i lejoi ujgurët, një pakicë që i përket popullsisë etnike turke të Azisë qendrore dhe lindore, që të udhëtonin jashtë vendit. Aliu thotë se në vitin 2017 babai dhe vëllai i tij i madh u dërguan në një kamp pune. Ai nuk e di nëse ata janë ende gjallë. Kina i quan kampet qendra edukimi dhe trajnimi profesional.

Hulumtuesit thonë se rreth një milion banorë të pakicës ujgure dhe të tjera janë dërguar në kampe pune në provincën Xinjiang.

Nuk dua që bota të heshtë kur ne jemi nën një persekutim të tillë, kur njerëzit digjen në këtë mënyrë”, thotë Aliu.

Protestuesit thonë se portat e ndërtesës ishin të mbyllura për shkak të rregullave të Kinës për tolerancë zero ndaj COVID-it. Autoritetet kineze flasin për 10 të vdekur. Por protestuesit pretendojnë se numri i të vdekurve është disa dhjetëra.

“Për shkak të këtij bllokimi, njerëzit nuk mund të dilnin nga pallati edhe pse kishte rënë zjarr. Kjo është arsyeja pse 44 ujgurë, mes tyre fëmijë dhe një foshnjë tetë muajshe vdiqën në zjarr”, thotë për Zërin e Amerikës protestuesi ujgur Burhan Uluyol.

Autoritetet lokale thonë se zjarri u shkaktua nga përdorimi i një zgjatuesi të dëmtuar elektrik. Incidenti shkaktoi protesta në të gjithë Kinën ndërsa diaspora ujgure protestoi në mbarë botën, duke përfshirë Stambollin dhe Uashingtonin.

Protestuesit thonë se Kina ka vendosur rregulla më të ashpra për kovidin ndaj popullatës ujgure.

“Politika zero-COVID zbatohet për të përshpejtuar politikën e gjenocidit kinez kundër ujgurëve. Sepse rregullat nuk zbatohen njëlloj si ndaj kinezëve dhe ujgurëve. Ata janë më të rreptë ndaj ujgurëve”, thotë protestuesi ujgur Cevlan Sir Mehmet.

Ka njoftime se në disa qytete në Kinë janë lehtësuar kufizimet e COVID-it si reagim ndaj protestave./VOA

Burimi: GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Kush gjen ikigai-n, gjen lumturinë. Japonezët janë të bindur për këtë (dhe jo vetëm ata)

Story i radhës

Zyrtarët ukrainas: Mbi 10 mijë trupa janë vrarë në luftë

Të fundit nga

Milani fiton në Bratisllavë 

Milani ka marrë pikë të plota në Bratisllavë.  “Rossonerët” shënuan fitore me rezultat 3:2 ndaj Sllovanit. Për Mlanin shënuan Pulisic (21′), Leao (68′) e Abraham (71′) dhe për vendasit Barseghyan (24′) e
ShkoLartë