Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muamed Sejdini, me ftesë të personit të parë të UEFA-s, Aleksandar Ceferin ka qenë sot në Shtëpinë Evropiane të Futbollit në Nyon të Zvicrës, transmeton TV21.
Siç thonë nga FFM-ja, arsyeja e takimit ka qenë “sulmi fizik ndaj Sejdinit dhe pas marrjes së informacionëve nga UEFA për ndërhyrje politike në punë të Federatës, e cila kërcënon integritetin e saj”.
Më tej bëhet e ditur se Sejdini e ka njoftuar në detaje presidentin e UEFA-s për situatën aktuale dhe se UEFA ka shprehur mbështetjen e fuqishme për mbrojtjen e FFM-së dhe integritetit të saj.
Bëhet e ditur se Qeveria ende nuk i ka kthyer letër UEFA-s, ku kërkoi takim për çështjen e zbardhjes së sulmit ndaj Sejdinit.
“Më herët (dje), UEFA dhe FIFA bashkërisht i kanë dërguar një letër me shkrim FFM-së duke kërkuar takim sa më të shpejtë me zyrtarët e qeverisë. FFM-ja ia ka përcjellë menjëherë këtë letër qeverisë së Republikës së Maqedonisë në pritje të një termini për takimin e kërkuar.
UEFA dhe FIFA janë të palëkundur në synimin e tyre për të ruajtur integritetin e futbollit dhe të federatës.
Presidenti i UEFA-s, Aleksandar Çeferin shprehu urimet e tij të sinqerta për vendin e parë në grup të Ligës C të Kombeve, duke na dëshiruar suksese dhe arritje edhe më të mëdha në vijim”, thuhet më tej në njoftimin e FFM-së.
Burimi: tv21