Udhëheqësit e BE-së mes mospajtimesh për çmimin e gazit ritheksojnë mbështetjen për Ukrainën

min lexim

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian u mblodhën në Kështjellën e Pragës të premten në një takim joformal në kuadër të përpjekjeve për të tejkaluar dallimet rreth vënies së një kufizimi për çmimin e gazit natyror në prag të dimrit, në një kohë kur lufta e Rusisë në Ukrainë ka shkaktuar një krizë të thellë energjetike. Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian thanë se energjia po bëhet sot çështja më e rëndësishme gjeostrategjike.

Vendosja e kufirit të çmimit është pjesë propozimeve dhe nismave për të përballuar rënien e furnizimeve me gaz nga Rusia, e cila dikur mbulonte 40 për qind të nevojave të Evropës, dhe çmimet që janë 200 për qind më të larta se sa në fillim të shtatorit të vitit 2021.

Gjermania, Danimarka dhe Holanda kundërshtojnë vendosjen e një kufiri të çmimit të gazit të shqetësuara se kjo do ta bënte të vështirë blerjen e gazit që u nevojitet ekonomive të tyre dhe do të zbehte çdo nxitje për të kufizuar konsumin.

Një pjesë e vendeve më të varfra të bllokut kritikoi Gjermaninë për ndarjen e 200 miliardë eurove në subvencione për të mbrojtur konsumatorët dhe bizneset nga rritja e çmimeve të energjisë, që sipas tyre mund të ndikojë në thellimin e ndarjeve mes vendeve të pasura që mund të përballojnë shpenzimet për subvencionet e brendshme dhe atyre që nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë.

Kancelari gjerman Olaf Scholz, tha se shfrytëzoi mundësinë për t’ua shpjeguar udhëheqësve të tjerë këtë çështje për të spastruar keqkuptimet.

“Me vendimet tona, ne po lëvizim brenda kuadrit të asaj që po bëjnë edhe të tjerët në Evropë”, tha kancelari Scholz.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, shfaqi shpresën se diskutimet mes udhëheqësve do të mund të çojnë te një marrëveshje kur ata të takohen sërish më 20-21 tetor.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se komisioni do të ketë propozime më të hollësishme për bllokun për të kundërshtuar një rritje të çmimeve të energjisë në javët e ardhshme.

Mbështetje për Ukrainën

Udhëheqësit e bllokut evropian diskutuan edhe për më shumë mbështetje financiare dhe ushtarake për Ukrainën. Zoti Borrell tha se do të kërkoj nga udhëheqësit e vendeve anëtare të mbështesin propozimin për më shumë ndihmë ushtarake përmes Fondit Evropian të Paqes përfshirë edhe misionin e trajnimit.

“Jemi të vendosur të mobilizojmë të gjitha mjetet dhe mënyrat e mundshme për të përkrahur Ukrainën me mjete financiare, me mbështetje ushtarake, me mbështetje humanitare dhe sigurisht me mbështetje politike”, tha presidenti Michel.

Zonja von der Leyen, tha se blloku do të mbështesë Ukrainën “për aq kohë sa duhet”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy iu drejtua udhëheqësve të Bashkimit Evropian përmes një video lidhjeje duke kërkuar më shumë sisteme ajrore për të mbrojtur infrastrukturën energjetike të Ukrainës nga sulmet ruse, për trysni ndërkombëtare për të larguar trupat ruse nga centrali bërthamor i Zaporizhias dhe për fonde për rindërtimin e Ukrainës.

“Rusia solli luftën në tokën tonë… Dhe vetëm falë faktit që populli ukrainas e ndali këtë agresion, Rusia nuk mund të sjellë ende të njëjtën luftë në pjesët tjera të Evropës, në veçanti, në vendet baltike, Poloni dhe Moldavi”. tha presidenti Zelenskyy sipas një postimi në faqen e tij të internetit.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se është me rëndësi që të gjitha vendet evropiane përfshirë edhe ata jashtë Bashkimit Evropian të qëndrojnë në solidaritet me Ukrainën kundër Rusisë. Udhëheqësit e bllokut u takuan të enjten këtu në Pragë me udhëheqësit e 17 vendeve tjera evropiane për të përuruar Komunitetin Politik Evropian duke vënë theksin tek izolimi i Rusisë./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Keni probleme me veshkat? Pijet që i pastrojnë

Story i radhës

Ronaldo nuk do të largohet nga Manchester United në janar

Të fundit nga