Presidenti Joe Biden do të presë udhëheqësit e Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore në Uashington muajin e ardhshëm për një takim të nivelit të lartë njoftoi të shtunën Shtëpia e Bardhë.
Takimi që do të mbahet në datat 12 dhe 13 maj ka për qëllim të demonstrojë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për partneritet me vendet e këtij rajoni.
Shtëpia e Bardhë më parë kishte njoftuar se takimi do të mbahej në 28-29 mars, por grupimi i vendeve të njohura si ASEAN, kërkoi një shtyrje për çështje planifikimi.
Në takim do të përkujtohet 45 vjetori i marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të ASEAN-it. Ai vjen pas pjesëmarrjes së Presidentit Biden në një takim që u mbajt në tetor të vitit 2021, ku ai njoftoi 102 milionë dollarë në ndihmë të këtyre vendeve në përpjekjet e tyre kundër COVID-19-s, garantuar shërbim shëndetësore, për t’u përballuar me ndryshimet klimatike, çështje të rritjes ekonomike e barazisë gjinore.
“Mbetet përparësi kryesore për administratën Biden-Harris që të shërbejë si një partner i fortë dhe i besueshëm i Azisë Juglindore”, tha të shtunën në një deklaratë sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki. “Aspiratat tona të përbashkëta për rajonin do të vazhdojnë të mbështesin angazhimin tonë të përbashkët për të çuar përpara politikën për një Indo-Paqësor të lirë, të hapur, të sigurt, të ndërlidhur dhe elastik”, shtoi ajo.
Dhjetë vendet anëtare të ASEAN-it janë Brunei, Kamboxhia, Indonezia, Laosi, Malajzia, Mianmari, Filipinet, Singapori, Tajlanda dhe Vietnami.
Anëtarët e saj kanë patur mosmarrëveshje me njëri-tjetrin lidhur me Mianmarin, një vend që është shkatërruar nga trazirat e dhunshme që kur ushtria rrëzoi qeverinë e zgjedhur të Aung San Suu Kyin në shkurt të vitit të kaluar.
ASEAN-i po kërkon të zbatojë një plan prej pesë pikash për Mianmarin, falë një marrëveshje mbi këtë çështje të arritur vitin e kaluar, ku theksohet rëndësia për dialog, ndihmë humanitare dhe dhënia fund e dhunës. Por këshilli ushtarak qeverisës i Mianmarit e ka vonuar zbatimin e planit edhe pse vendi ka rrëshqitur në një situatë që disa ekspertë të OKB-së e kanë përshkruar si luftë civile.
Mungesa e bashkëpunimit nga ana e Mianmarit bëri që vitin e kaluar të ASEAN-i t’i ndalojë udhëheqësit të këtij vendi, gjeneralit të lartë Min Aung Hlaing, pjesëmarrjen në takimin vjetor të shoqatës, një hap i pashembullt për këtë organizëm, anëtarët e të cilit tradicionalisht i kanë shmangur kritikat publike ndaj njëri-tjetrit dhe kanë vepruar me konsensus.
Organizata ka zbatuar një politikë të ngjashme për takimet e mëpasshme, duke thënë se do ta lejonte Mianmarin që të dërgonte në takimet e saj vetëm përfaqësues jopolitikë.
Muajin e kaluar Presidenti Biden u takua në Uashington me kryeministrin e Singaporit Lee Hsien Loong. Zoti Biden siguroi Singaporin dhe aleatët e tjerë të Paqësorit se administrata mbetet e përqendruar në rajon ndërsa vazhdon punon me Evropën dhe aleatët e tjerë për t’i dhënë fund agresionit rus në Ukrainë./VOA