U promovuan dy vepra të ITKSH -Shkup

min lexim

Sot, në kuadër të panairi të librit albanologjik, u promovuan dy vepra
të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve –
Shkup.
Fillimisht u promovua vepra “Shkupi, vetë historia e Kosovës” e
autorëve Skender Asani, Albert Ramaj dhe Mehmet Prishtina. Përkitazi
me këtë vepër foli recensenti i veprës, Dr. Sylë Ukshini, i cili
theksoi se: “Libri i përgatitur nga Asani, Ramaj dhe Prishtina paraqet
një dokument me vlera të veçanta historike dhe demografike e kulturore
dhe një dëshmi se Kosova, ose Vilajeti i Kosovës ishte një epiqendër e
rëndësishme e zhvillimeve rajonale. Ky fakt gjithsesi është argument
përse Kosova ishte në fokusin e qarqeve diplomatike evropiane, në këtë
kontekst edhe të diplomatëve italianë”.
Përveç tij, audiencës iu drejtuan edhe hartuesit e veprës, Skender
Asani dhe Mehmet Prishtina. Drejtori i Institutit, Dr. Skender Asani,
tha se arsyeja e hartimit të kësaj vepre është interesimi i
vazhdueshëm i Institutit për historinë e Shkupit dhe rolin e tij në
diplomacinë ndërkombëtare dhe në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Sipas tij, Shkupi është kryeqyteti i çështjes shqiptare dhe vetë
historia e Kosovës.
Mehmet Prishtina, po ashtu në cilësi të autorit, foli se vepra është
jashtëzakonisht e rëndësishme për zbërthimin e historisë së Kosovës,
aq më shumë që ajo vjen si dokumentacion i diplomacisë italiane dhe e
shpjegon në mënyrën më të paanshme gjendjen e shqiptare në Shkup në
kapërcyell të shekujve XIX-XX dhe rëndësinë e Shkupit në temën e
shtetndërtimit.
Pas kësaj, u promovua edhe vepra ““Fjalor frazeologjik i arealeve
shqipe të Maqedonisë së Veriut” e autorit Qemal Murati. Për këtë vepër
foli Dr. Zeqirija Ibrahimi – këshilltar shkencor në Institutin e
Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve. Në fjalën e tij,
ai theksoi se: “Vepra “Fjalor frazeologjik i arealeve shqipe të
Maqedonisë së Veriut” nga autori Qemal Murati, është ndër veprat më të
rëndësishme të fushës së frazeologjisë që është botuar kurdoherë nga
cilido autor në Maqedoninë e Veriut. Për dikë mund të duket
ekzagjerim, por ky është konstatim që e them me kompetencë si gjuhëtar
dhe si njohës i mirë i bibliografisë linguistike shqiptare në
Maqedoninë e Veriut, duke qenë i bindur se me të dakordohen edhe
kolegët e tjerë gjuhëtarë të pjesës shqiptare në Maqedoni të Veriut.”
Të pranishmëve iu drejtua edhe autorit i veprës, Qemal Murati, i cili
shprehu falënderime për botuesin, pra Institutin, si dhe për
recensentët e veprës.
Me këto promovime edhe u mbyll dita e dytë e panairit të librit
akademik, që sivjet për herë të parë është organizuar në Prishtinë,
ndërsa organizatorë ishin Instituti Albanologjik, Instituti i
Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup dhe
Akademia e Studimeve Albanologjike – Tiranë.

Marketing

Story i mëparshëm

Putini i bën liderit çeçen dhuratën e veçantë për ditëlindje

Story i radhës

Gianni Merlo fiton edhe një mandat në krye të AIPS-as

Të fundit nga