Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti fjalimin e tij të parë pas lirimit nga arresti shtëpiak, duke falënderuar mbështetësit e tij dhe shprehur mirënjohjen për ata që e mbështetën gjatë periudhës së tij të ndaluar.
Berisha foli përpara mbështetësve të tij në oborrin e selisë blu, ku theksoi rëndësinë e mbështetjes së demokratëve dhe miqve ndërkombëtarë.
Ai nisi fjalën duke falënderuar gjithë demokratët që, sipas tij, me mosbindjen civile të tyre, arritën të kundërshtojnë regjimin e asaj që ai e quajti “narkodiktaturë”, duke bërë të mundur mbijetesën e opozitës. Berisha e quajti këtë një fitore historike, duke e lidhur atë me forcën e opozitës dhe mbështetjen që ajo ka pasur. “Pa mbështetjen tuaj kjo ditë dhe kjo fitore nuk do ishte e mundur,” tha ai.
Në vijim, Berisha falënderoi miqtë e tij ndërkombëtarë, përfshirë organizata si CDI dhe PPE, për mbështetje dhe angazhim në mbrojtje të tij dhe të kauzës së Partisë Demokratike. Ai vuri theksin te rëndësia e mbrojtjes së ligjit dhe të Kushtetutës, duke falënderuar gjithashtu gjykatësen që, sipas tij, nderoi ligjin dhe moralin.
Berisha vazhdoi të theksojë se PD dhe ai vetë ishin objekt i sulmeve të forta dhe përpjekjeve për shkatërrimin e tyre. Ai e cilësoi këtë një skenar të udhëhequr nga “mafia më e rrezikshme”, duke përmendur lidhjet e mundshme me figura si Soros, Rama dhe McGonigal. Sipas tij, këto përpjekje për ta fshirë historinë dhe pluralizmin politik në Shqipëri kishin qëllim të asgjësonin opozitën dhe politikën kombëtare të vendit, por ai theksoi me krenari se “Ne ja dolëm, ne triumfuam.”
“U përpoqën të blejnë heshtjen e Sali Berishës. U bënë qesharakë. Nuk mund të blihet heshtja e Sali Berishës, kurrë! Ne ndriçuam në rrugën e shpresës. Nga kjo ditë dritën do e përhapim në gjithë Shqipërinë. Kombi jonë duhet të jetë kombi i shpresës dhe jo i narkotrafikut. Ka një arritje të madhe që kemi arritur bashkë. Kjo fitore ka rëndësi për ata që vijnë pas nesh, për të ardhmen”, shtoi ai.
Burimi: botasot.info