1
Shkup, 29 tetor – Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, u organizua pritje solemne me rastin 29 Tetorit, 101-vjetorit të themelimit të Republikës së Türkiyes, raporton Anadolu.
Në pritjen e organizuar nga Ambasadori i Türkiyes në Shkup, Fatih Ulusoy, morën pjesë Presidentja e Maqedonisë së Veriut Gordana, Gordana Siljanovska Davkova, kryeparlamentari Afrim Gashi, kryeministri Hristijan Mickoski, shefi i shtabit të përgjithshëm gjeneralmajor Sashko Lafchiski, ministra, deputetë, përfaqësues të partive politike, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend dhe shumë të ftuar.
Aktiviteti nisi me intonimin e himneve kombëtare të dy vendeve, ndërsa më pas u shfaq një videomesazh nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan.
Në fjalën e tij të rastit, ambasadori Ulusoy kujtoi se ky vit ishte viti i tij i parë si ambasador në Maqedoninë e Veriut, vend të cilit sipas tij Türkiye i kushton rëndësi të madhe, ndërsa shprehu kënaqësinë e tij për punën në një vend aleat, mik dhe vëlla.
Ulusoy, i cili dënoi sulmin terrorist në objektet e kompanisë së Industrive Turke të Aviacionit dhe Hapësirës (TUSAŞ) javën e kaluar, uroi mëshirën e Zotit për dëshmorët dhe shprehu ngushëllimet e tij për të afërmit e tyre dhe shërim të shpejtë për qytetarët e plagosur.
Ulusoy falënderoi autoritetet e Maqedonisë së Veriut për mesazhet e tyre të solidaritetit dhe ngushëllimet pas sulmit terrorist.
Duke kujtuar se me rastin e 29 tetorit organizuan aktivitete të ndryshme nga institucionet turke në vend, Ulusoy tha se Instituti Yunus Emre dhe Agjencia Anadolu (AA) organizuan ekspozitë me festimet e Ditës së Republikës nga vitet e kaluara.
“Ne gjithashtu i urojmë fat Agjencisë Anadolu, e cila u zhvendos në zyrën e re në Shkup me menaxhmentin e saj të ri”, tha ai.
– “Türkiye është pjesë integrale e Ballkanit”
Duke theksuar se Ballkani është ndër rajonet të cilave Türkiye i kushton rëndësi të madhe në fushën e politikës së jashtme, Ulusoy tha se “Türkiye është pjesë integrale e Ballkanit”.
Ulusoy më tej vuri në dukje se kanë mbështetur dhe do të vazhdojnë ta mbështesin vendin mik Maqedoninë e Veriut, me të cilin kanë marrëdhënie të ngushta historike dhe njerëzore, në çdo fushë.
Ai rikujtoi se ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan realizoi vizitën e parë në vend pas ardhjes së qeverisë së re dhe shtoi se gjatë kësaj periudhe ka pasur edhe vizita të tjera të ndërsjella.
Ulusoy më tej deklaroi se dy vendet i kanë zgjatur dorën e ndihmës njëri-tjetrit në kohë fatkeqësish, ndërsa theksoi se kanë intensifikuar përpjekjet për të rritur tregtinë bilaterale.
Ambasadori tha se Maqedonia e Veriut jep një shembull si vend ku kulturat dhe komunitetet e ndryshme etnike jetojnë në paqe dhe harmoni. “Komuniteti turk i Maqedonisë së Veriut përbën një lidhje të fortë midis vendeve tona, si Ura e Gurit në Lumin Vardar”, shtoi Ulusoy.
“Jemi të kënaqur që komuniteti turk, si qytetarë besnik të këtij vendi, është në harmoni me të gjitha komunitetet e tjera etnike”, theksoi ai.
– Presidentja e Maqedonisë së Veriut dhe Kryetari i Kuvendit vizituan stendën e AA-së
Në kuadër të pritjes, përmes një bashkëpunimi nga AA dhe Instituti Yunus Emre, para të ftuarve u prezantua një ekspozitë me fotografi të realizuara nga fotoreporterët e AA-së nga festimet e Ditës së Republikës nga vitet të kaluara.
Në kuadër të pritjes, në stendat e vendosura, institucionet turke në vend, veçanërisht servisi i AA-së në gjuhën shqipe dhe atë maqedonase, i njoftuan mysafirët për punën e tyre.
Nga ana tjetër, Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, dhe kryeparlamentari Afrim Gashi, të cilët morën pjesë në pritje, vizituan stendën e AA-së dhe morën informacione për punën nga Drejtori i AA-së për Gjuhën Shqipe dhe atë Maqedonase, Ahmet Nurduhan.
BURIMI: zhurnal.mk