Me qëllim të përafrimit të policisë me qytetarët, në mbështetje të komunës së Ferizajt dhe në përkrahje të OJQ-së ‘’Kuvendi i të Rinjve të Ferizajt, sot është mbajtur mini-maratona “Vrapojmë me Policinë Tonë”, për nderë të ditës së çlirimit të qytetit të Ferizajt.
Në këtë mini-maratonë, e cila u mbajt për qëllime humane e sportive, kanë marrë pjesë rreth 400 persona, qytetarë, pjesëtarë të policisë, klube sportive dhe institucione lokale e qendrore, në shtegun e gjatë 5 km, nga platoja e komunës së Ferizajt deri te kazerma e FSK-së dhe anasjelltas.
Mjetet e grumbulluara nga kjo mini-maratonë do t’u shpërndahen familjeve në nevojë, që do të përzgjidhen nga Qendra për Punë Sociale në Ferizaj.
Në fund të kësaj mini-maratone u shpërndanë mirënjohje dhe kupa për vendet fituese.