Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, ka reaguar pak minuta më parë lidhur me qëndrimin e Agjencisë për Media dhe Informim se ajo kishte bërë një postim të pavërtetë në emër të kryeministrit Edi Rama në platformën ‘X’.
Tabaku e cilëson si propagandë, ndërsa shkruan me “krenari” se imazhi fake që qarkulloi në profilin e saj në “X” mobilizoi menjëherë MIA-n, ndërsa më tej ndalet te ligji dhe standardet europiane të ligjit për zonat e mbrojtura, duke iu shmangur një përgjigjeje të drejtpërdrejtë.
“Një imazh që qarkulloi në rrjet mobilizoi menjëherë Agjencinë e Medias dhe kryeministrin. Ndërsa një imazh sqarohet me një reagim; një ligj që bie ndesh me standardet europiane korrigjohet me votë në Kuvend duke zhbërë amendimet.
Kërkesa e Parlamentit Europian për shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura është zyrtare dhe e qartë. Nuk është as dezinformim, as pavërtetësi dhe nuk mund të fshihet pas zhurmës së rrjeteve sociale.
Shqipëria nuk ka nevojë për propagandë rreth një imazhi te rremë. Ka nevojë për përgjigje mbi faktet. Shfuqizo ligjin për zonat e mbrojtura! Këtë duan shqiptarët, këtë kërkojnë protestuesit, kjo i duhet Shqipërisë, këtë na dikton Europa tani. Kryeministri duhet t’i përgjigjet kësaj kërkese, sepse ora e integrimit europian vazhdon dhe Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur as kohë për propagandë”,-shkruan Tabaku.
Burimi: botasot.info


