Në fillim rinovimi, më pas fitorja ndaj Milanit dhe kualifikimi në gjysmëfinalet e Europa League. Daniele De Rossi po përjeton emocione të forta si trajner i Romës së tij.
Verdhekuqtë mposhtën 2-1 kuqezinjtë, teksa kishin fituar 0-1 edhe në “San Siro”. Dhe tani do të përballen me Bayer Leverkusen, një nga ekipet më në formë të Europës. Duke përsëritur gjysmëfinalen e edicionit të kaluar.
“Nuk kishte mënyrë më të mirë për të festuar rinovimin. Kisha pak frikë se ndoshta lajmi do të prishte pjesën tjetër të ditës. Gjithashtu kisha frikë se rezultati i ndeshjes do të prishte lajmin e bukur.
Por u shpërblyem nga një ndeshje e jashtëzakonshme e djemve. Jam krenar që jam trajneri i tyre. Skuadra bëri gjithçka, e nisi mirë, tentoi dhe gjeti saktë thellësinë, si në golin e dytë.
E kishim përgatitur një gjë të tillë. Gjithashtu luftuam siç luftojnë skuadrat e mëdha. Na e mësoi një gjë të tillë Reali i Madridit, edhe të mëdhenjtë luftojnë e sakrifikojnë.
Nuk mund të pretendojmë të vëmë poshtë çdo kundërshtar. Duhet të jemi të vetëdijshëm për faktin që gjejmë përballë skuadra të mrekullueshme si Milani, një skuadër e stërvitur mirë. Që zhvilloi dy ndeshje pozitive ndaj nesh”.