Ekzekutivët e Twitter kanë pretenduar prej vitesh se kompania përpiqet vazhdimisht të identifikojë dhe adresojë fushatat e propagandës mbështetur nga qeveri të vende të ndryshme në platformën e saj.
Megjithatë prapa skenave, gjiganti i medias sociale ka ofruar miratim të drejtpërdrejtë dhe mbrojtje të brendshme të rrjetit të llogarive dhe personaliteteve online të ushtrisë Amerikane duke hequr kufizime ndaj disa llogarive me kërkesë të qeverisë Amerikane. Pentagoni ka përdorur këtë rrjet, ku përfshihen edhe disa portale lajmesh të qeverisë Amerikane, në përpjekje për të ndikuar në opinionin publik në Jemen, Siri, Irak, Kuvajt dhe më tutje.
Llogaritë në fjalë kanë filluar si një nismë e hapur e qeverisë Amerikane. Por Pentagoni së fundi ka ndryshuar taktikat dhe filluar të fshehë lidhjen e tij me disa prej këtyre llogarive – një lëvizje drejt një platforme manipulimi të qëllimshme që Twitter publikisht i ka kundërshtuar. Edhe pse ekzekutivët e Twitter ishin në dijeni të këtyre llogarive, ata nuk morën masa kundrejt tyre, duke i lënë të jenë aktive për vite me radhë. Disa ende janë aktive.
Zbulimet e fundit janë të fshehura në arkivat e e-mail-eve dhe mjeteve të brendshme të Twitter mbi të cilat The Intercept ju garantua akses për një periudhë të shkurtër javën e kaluar së bashku me disa gazetarë dhe reporterë të tjerë. Pas blerjes së Twitter nga Elon Musk, miliarderi filloi të jepte akses në dokumente të kompanisë duke thënë në një Twitter Space se “ideja është që të zbulohet çdo e keqe që Twitter ka bërë në të kaluarën.” Dokumentet, ku përfshiheshin rekorde të gjeneruara gjatë pronësisë së Musk, ofrojnë një pamje të paprecedent deri diku të paplotë të vendimmarrjes brenda një kompanie të rëndësishme të medias sociale.
Twitter nuk siguroi akses të pakufizuar në informacionet e kompanisë; përkundrazi për tre ditë javën e kaluar ata lejuan The Intercept të bëjë kërkesa pa limit të cilat kanë marrë përgjigje përmes një avokati, që do të thotë se rezultatet e kërkimit mund të mos kenë qenë shteruese. The Intercept nuk pranoi çdo kusht lidhur me përdorimin e këtyre dokumenteve dhe u përpoq për të vërtetuar dhe kontekstualizuar dokumentet përmes raportimeve të mëtejshme. Redaktimet në dokumentet e paraqitura në këtë histori janë bërë nga The Intercept për të mbrojtur privatësinë dhe jo Twitter-in.
Mbështetja e drejtpërdrejtë e Pentagonit për Twitter-in fillon 5 vite më parë.
Më 26 Korrik 2017, Nathaniel Kahler, asokohe një zyrtar që punonte në Komandën Qendrore Amerikane, njohur edhe si CENTCOM – një divizion i Departamentit të Mbrojtjes – dërgoi një përfaqësuesi të Twitter një e-mail duke kërkuar aprovimin e verifikimit të një llogarie dhe heqjen e kufizimeve për një listë llogarish në gjuhën Arabe të cilat i përdornin për të trumbetuar mesazhe të caktuara.
“Kemi disa llogari të cilat nuk indeksohen me hashtaget – mbase sepse janë etiketuar si robotë,” shkruante Kahler. “Një pjesë e tyre kanë bazë ndjekësish të vërtetë dhe shpresojmë ti shpëtojmë si llogari.” Kahler shtoi se ai ishte i gatshëm të ofronte më shumë dokumentacion nga zyra e tij ose SOCOM, ankronimi për Komandën e Operacioneve Speciale Amerikane.
Asokohe Twitter kishte ndërtuar dhe zgjeruar një sistem zbulimi i cili identifikonte llogaritë me aktivitet të rrezikshëm lidhur me Shtetin Islamik dhe organizata të tjera terroriste që operonin në Lindjen e Mesme. Si një pasojë jo e drejtpërdrejtë e këtyre përpjekjeve, një ish punonjës i Twitter shpjegoi për The Intercept, se llogaritë e kontrolluara nga ushtria të cilat ndërvepronin me grupet ekstremiste po etiketoheshin automatikisht si të rreme. Ish punonjësi, i cili ishte përfshirë në heqjen e kufizimeve të llogarive të CENTCOM, foli me The Intercept në kushtet e anonimitetit sepse nuk janë autorizuar të flasin publikisht.
Në e-mail-in e tij, Kahler dërgoi një databazë me 52 llogari. Ai kërkoi dhënien prioritet për 6 prej tyre, përfshirë @yemencurrent, një llogari e përdorur për të transmetuar sulmet Amerikane me dronë në Jemen. Në të njëjtën periudhë, @yemencurrent, që tani është fshirë, vinte theksin tek sulmet Amerikane me dronë të cilët ishin të sakta dhe kishin vrarë terroristë, jo civilë, dhe i parapriu një sulmi ndaj rebelëve Houthi nga koalicioni ushtarak mbështetur nga SHBA-ja dhe Arabia Saudite.
Llogaritë e tjera në listë ishin të përqendruara tek promovimi i milicive të mbështetura nga Amerika në Siri dhe mesazheve kundër Iranit në Irak. Një prej llogarive diskutonte problemet ligjore në Kuvajt. Edhe pse shumë prej tyre ishin të përqendruara tek një tematikë, të tjerat kapërcenin nga një tematikë tek tjetra. Për shembull @dala2el, një prej llogarive të CENTCOM, publikonte mesazhe për sulmet me dronë në Jemen në 2017-ën por edhe për komunikimet e qeverisë Siriane.
Në të njëjtën ditë që CENTCOM dërgoi kërkesën, anëtarë të ekipit të integritetit të Twitter shkuan në një sistem të brendshëm të kompanisë përdorur për menaxhimin e shtrirjes së postimeve së disa përdoruesve duke aplikuar disa etiketa përjashtuese për llogaritë në fjalë, tregojnë rekordet e brendshme të kompanisë.
Një inxhinier, i cili kërkoi që emri i tij të mos bëhej publik sepse nuk ishte i autorizuar për të folur me mediat, tha se ai asnjëherë nuk e kishte parë këtë lloj etikete më parë, por pas një hetimi të thellë, ai tha se efekti i tij ishte heqja e kufizimeve duke ju dhënë llogarive privilegjet e një llogarie të verifikuar në Twitter por pa etiketën e dukshme blu të verifikimit. Verifikimi nga Twitter ka një numër avantazhesh siç është imuniteti që ka përballë algoritmeve të cilat etiketojnë në mënyrë automatike llogaritë si të rreme apo abuzuese, si dhe masa të tjera të cilat çojnë në reduktimin e shikueshmërisë deri tek mbyllja.
Kahler kërkoi nga Twitter që llogaritë të konsiderohen si “llogari në gjuhën arabe që i atribuohen USG-së dhe që postojnë në Twitter për çështje të rëndësishme të sigurisë.” Ky premtim ra shumë shpejtë sepse pjesa më e madhe e tyre refuzuan të paraqiteshin si të lidhura me qeverinë Amerikane.
Arkiva e Internetit nuk ruan historikun e plotë të çdo llogarie, por The Intercept ka identifikuar disa të cilat në përshkrimin e tyre paraqiteshin si llogari të qeverisë Amerikane dhe pasi ju hoqën kufizimet, ata zhdukën çdo provë që i lidhte me ushtrinë duke u paraqitur si përdorues të zakonshëm.
Kjo qëndron në një linjë me një raport që bëri bujë të publikuar në Gusht nga hulumtues sigurie të lidhur me Observatorin e Internetit të Stanford që raportoi se mijëra llogari ishin pjesë e një operacioni informimi shtetëror, shumica e të cilave përdornin fytyra njerëzore gjeneruar nga inteligjenca artificiale ose siç njihen ndryshe si “deep fake.”
Hulumtuesit bënë lidhjen e këtyre llogarive me një ekosistem masiv online ku përfshiheshin uebsajte me lajme të rreme, llogari memesh në Telegram dhe Facebook dhe personalitete online që i jepnin zë mesazheve të Pentagonit pa zbuluar lidhjen e tyre me ushtrinë Amerikane. Disa llogari akuzonin Iranin për “kërcënim të sigurisë së ujit të Irakut dhe përmbytjen e vendit me met kristali,” ndërsa të tjerë promovonin akuzat se Irani po përdorte refugjatët Afganë për trafik organesh.
Raporti i Stanford nuk foli drejtpërdrejtë për llogaritë e CENTCOM e as nuk ofroi një listë të plotë të llogarive të Twitter. Por e-mail-et e para nga The Intercept tregojnë të paktën krijimin e një prej këtyre llogarive të lidhura direkt me Pentagonin.
Një prej llogarive që Kahler kërkoi ti hiqeshin kufizimet, @mktashif, u identifikua nga hulumtuesit si një llogari me foto deep-fake duke fshehur identitetin e vërtetë. Fillimisht, sipas Wayback Machine, @mktashif tregonte lidhjen me qeverinë Amerikane, por më pas ky informacion u fshi dhe fotoja u ndryshua me atë që Stanford e identifikoi si deep-fake.
Biografia e re e saj pretendonte se llogaria ishte një burim informacioni dhe opinioni të paanshëm dhe motoja përkthehej nga Arabishtja si “përkushtuar në shërbim të Irakenëve dhe Arabëve.” Llogaria, përpara se të mbyllej këtë vit, në mënyrë rutinore publikonte mesazhe duke denoncuar Iranin dhe kundërshtarë të tjerë të Amerikës, përfshirë rebelët Houthi në Jemen.
Një tjetër llogari e CENTCOM, @althughur, që postonte përmbajtje kundër Iranit dhe ISIS kishte një audiencë Irakene dhe ndryshoi biografinë e tij nga për të fshehur lidhjen me CENTCOM në shprehjen Arabe që do të thotë “pulsi i Eufratit.”
Ish punonjësi i Twitter tha për The Intercept se ishin të surprizuar të shikonin Departamentin e Mbrojtjes së ndryshojë taktikë. “Dukej sikur departamenti po bënte diçka të dyshimtë dhe jo në një linjë me atë çfarë ata na kishin thënë në fillim,” tha ai.
“Është thellësisht shqetësuese nëse Pentagoni po punon për të influencuar opinionin publik për rolin e ushtrisë sonë jashtë vendit e madje edhe më keq nëse kompani private po e ndihmojnë në fshehjen e saj,” tha Erik Sperling, drejtor ekzekutiv i Just Foreign Policy, një organizatë jofitimprurëse e cila punon në zgjidhje diplomatike për konfliktet e huaja.
“Kongresi dhe kompanitë e medias sociale duhet të hetojnë dhe veprojnë për tu siguruar se qytetarët tanë janë plotësisht të informuar lidhur me shpenzimin e taksave të tyre për të influencuar pozitivisht për luftërat tona që nuk mbarojnë kurrë,” shtoi Sperling.
Për vite me radhë Twitter ka premtuar të mbyllë çdo përpjekje keqinformuese dhe propaganduese të mbështetura nga vende duke mos bërë asnjë përjashtim përfshirë Amerikën. Në 2020-ën, zëdhënësi i Twitter Nick Pickles gjatë një dëshmie përballë Komitetit të Inteligjencës së Dhomës së Senatit, tha se kompania kishte marrë masa agresive për të mbyllur çdo përpjekje të koordinuar manipulimi nga agjenci shtetërore.
“Luftimi i përpjekjeve për të ndërhyrë në bisedat e Twitter mbetet prioritet madhor për kompaninë dhe ne vazhdojmë të investojmë në mënyrë të fuqishme për identifikimin, bllokimin dhe transparencën lidhur me operacionet informuese me mbështetje shtetërore. Objektivi ynë është eliminimi i aktorëve të këqij dhe avancimi i kuptimit publik lidhur me tematika kritike,” tha Pickles.
Në 2018-ën Twitter njoftoi një mbyllje në masë të llogarive të lidhura me qeverinë Ruse për propagandë. Dy vite më pas, kompania tha se kishte mbyllur 1 mijë llogari të lidhura me ushtrinë e Tajlandës. Por rregullat e manipulimit nuk janë aplikuar për Amerikën.
E-mail-et e para nga The Intercept tregojnë se Twitter jo vetëm që hoqi kufizimet ndaj këtyre llogarive në 2017-ën me kërkesë të ushtrisë Amerikane, por zyrtarë të lartë të kompanisë kishin diskutuar lidhur me to si një problem që mund të shfaqej në të ardhmen.
Në Verën e 2020-ës, zyrtarë të Facebook raportohet se kishin identifikuar llogari të rreme të lidhura me operacionet e influencës së CENTCOM në platformë duke paralajmëruar Pentagonin se nëse Lugina e Silikonit i paraqet këto llogari si jo-autentike, të njëjtën mund të bënin edhe kundërshtarët sipas një raporti të publikuar në Shtator nga Washington Post.
E-mail-et e Twitter tregojnë se gjatë 2020-ës, ekzekutivët e Facebook dhe Twitter ishin thirrur nga juristët më të lartë të Pentagonit për të marrë pjesë në takime të klasifikuara në një hapësirë e njohur si SCIF dhe përdorur për takime me ndjeshmëri të lartë.
Facebook ka pasur një seri bisedash 1:1 mes drejtuesve të ekipit ligjor dhe Departamentit Të Mbrojtjes. “Departamenti ka shprehur një dëshirë të fortë për të punuar me ne për heqjen e aktivitetit jo-autentik” por tani po refuzojnë të diskutojnë detaje shtesë ose hapa përtej bisedës së klasifikuar.”
Stacia Cardille, ish avokate në Twitter, theksoi në një e-mail drejtuar kolegëve të saj se Pentagoni mund të kërkojë klasifikimin e aktiviteteve të medias sociale “për të fshehur aktivitetin e tyre në këtë hapësirë, dhe se kjo mund të përfaqësojë një mbiklasifikim për të shmangur ekspozimin.”
Jim Baker, ish këshilltar i përgjithshëm i Twitter në të njëjtën bisedë shkruante se Pentagoni mund të ketë përdorur teknika për të krijuar llogari në Twitter dhe më pas është përpjekur për të fshehur gjurmët dhe me shumë gjasa po kërkonte një strategji për të shmangur informimin e publikut me faktin se llogaritë ishin të lidhura me Departamentin e Mbrojtjes ose Ushtrinë Amerikane. Baker spekulonte në atë takim se departamenti mund tu jepte atyre afate për ti mbyllur në një periudhë afatgjatë duke mos kompromentuar asnjë operacion në zhvillim e as zbuluar lidhjet e tyre me departamentin.
Ajo çfarë u diskutua në takimet e klasifikuara – që u realizuan sipas Washington Post – nuk është përfshirë në e-mail-et e Twitter të aksesuara nga The Intercept, por shumë prej llogarive të rreme mbeten aktive edhe për një vit tjetër të paktën. Disa llogari në listën e CENTCOM mbeten edhe sot aktive – siç është kjo, e cila tregon lidhjen me CENTCOM, dhe kjo, e cila nuk e tregon – ndërsa shumë prej tyre janë mbyllur më 16 Maj.
Në një e-mail tjetër më vete dërguar në Maj të 2020-ës, Lisa Roman, atëherë zëvendës presidente e kompanisë ngarkuar me politikën publike globale, dërgoi një e-mail tek William S. Castle, një avokat i Pentagonit, së bashku me Roth dhe një listë llogarish në Twitter të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes. “Tabulati i parë listonte llogaritë të cilat ishin ofruar për ne dhe i dyti llogaritë që Twitter kishte zbuluar,” shkruante Roman. Nuk është e qartë nga ky e-mail i vetëm se çfarë Roman po kërkonte, por thekson se një tabulat i dytë llogarish – ato të cilat nuk janë ofruar Twitter-it nga Pentagoni – mund të kenë shkelur rregullat e platformës. Përfshiheshin disa llogari që postonin në gjuhë Ruse dhe Arabe për shkeljet e të drejtave të njeriut nga ISIS. Shumë llogari në të dy tabulatet nuk janë identifikuar publikisht si të lidhura me qeverinë Amerikane.
Ekzekutivët e Twitter ishin në dijeni të statusit të veçantë të Departamentit të Mbrojtjes. Këtë Janar, një ekzekutiv i Twitter ri-qarkulloi një listë llogarish në Twitter të CENTCOM të cilave ju ishin hequr kufizimet në 2017-ën. E-mail-i thjeshtë lexonte “FYI” dhe ishte drejtuar disa zyrtarëve të Twitter përfshirë Patrick Conlon, një ish analist i inteligjencës pranë Departamentit të Mbrojtjes dhe që asokohe punonte në njësinë e integritetit të Twitter. Rekorde të brendshme tregojnë se llogaritë e ngelura nga lista origjinale e Kahler ende nuk kanë kufizime.
Pas mbylljes në masë të shumë llogarive në Maj, ekipi i Twitter është përpjekur të fshehë përfshirjen e kompanisë në këtë fushatë. Pak pasi u bë publik artikulli i Washington Post në Shtator, Katie Rosborough, asokohe specialiste komunikimi në Twitter, shkruante për të paralajmëruar juristët dhe lobistët e Twitter lidhur me ngjarjen. “Është një histori që ka të bëjë kryesisht me Departamentin Mbrojtjes dhe Facebook; megjithatë mund të ketë disa rreshta ku përmendemi edhe ne krahas Facebook në lidhje me takimet që kemi pasur me Departamentin e Mbrojtjes. Nuk besoj se kanë për të bërë lidhjen me rastin e Mudge apo të përmendin emrin e ndonjë punonjësi. Ne kemi refuzuar të komentojmë,” shkruante ajo. (Mudge është referencë e Peiter Zatko, një informator i Twitter i cili dërgoi një padi pranë autoriteteve federale në Korrik lidhur me masat e sigurisë implementuar nga kompania apo penetrimin e agjentëve të huaj.)
Pasi lajmi i Washington Post u publikua, ekipi i Twitter uroi njëri-tjetrin sepse një tjetër histori kishte minimizuar rolin e Twitter në fushatën e CENTCOM. Përkundrazi historia sillej kryesisht rreth vendimit të Pentagon për të rishikuar operacionet klandestine psikologjike në median sociale.
“Faleminderit për çdo gjë që keni bërë për të menaxhuar këtë,” shkruante Rebecca Hahn, një tjetër zyrtare e komunikimit pranë Twitter. “Nuk fitoi shumë vëmendje përtej Verge, CNN dhe redaktorëve të Wapo që e promovuan.”
CENTCOM nuk komentoi The Intercept. Pas publikimit të këtij lajmi, CENTCOM referoi The Intercept tek Brigadier Gjeneral Pat Ryder dhe komentet e tij në Shtator në lidhje me kërkesën e Pentagonit për të rishikuar aktivitetet informuese të Departamentit të Mbrojtjes e cila shihej si mundësi për të analizuar punën e bërë në këtë drejtim por asgjë më tepër.
Ushtria Amerikane dhe komuniteti i inteligjencës kanë ndjekur prej kohësh një strategji personalitetesh të fabrikuara online me palë të treta të cilat amplifikojnë narrativa të caktuara për vendet e huaja, ideja e një portali lajmesh autentik në gjuhët Arabe dhe perse ose e një femre lokale Afgane e cila do të kishte influencë të madhe organike më shumë sesa një dalje për shtyp e Pentagonit.
Propaganda online e ushtrisë është mbikëqyrur nga memorandumi i 2006. Memoja thotë se aktivitetet online të Departamentit të Mbrojtjes duhet të pranojnë hapur përfshirjen e Amerikës me përjashtim të rasteve ku një komandant ushtrie beson se nuk është e mundur për shkak të rrethanave operacionale të ushtrisë. Kjo metodë kundërzbulimi, është e autorizuar vetëm për operacione në kuadër të Luftës Globale Kundër Terrorizmit ose specifikuar nga një urdhër ekzekutiv të Sekretarit të Mbrojtjes.
Në 2019-ën, ligjvënësit kaluan një masë njohur si Seksioni 1631, një referencë e Aktit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare duke afirmuar operacionet klandestine nga ushtria në përpjekje për të kundërshtuar fushatat online të dezinformimit të Rusisë, Kinës dhe kundërshtarëve të huaj.
Në 2008, Komanda Speciale Amerikane hapi një kërkesë për një shërbim i cili ofronte produkte influence bazuar në ueb në mbështetje të objektivave dhe synimeve afatgjatë dhe strategjike të qeverisë Amerikane. Kontrata referohej si Iniciativa Trans-Rajonale e Uebit, një përpjekje për të krijuar sajte online lajmesh për të fituar zemrat dhe mendjet në betejën kundër influencës Ruse në Azinë Qendrore dhe terrorizmit global Islamik. Kontrata u mor përsipër nga General Dynamics Information Technology, një filial i kontraktorit të mbrojtjes General Dynamics në bashkëpunim me zyrat e komunikimit të CENTCOM në Washingon DC dhe Tampa të Floridas.
Një program i njohur si WebOps, drejtuar nga një kontraktor i mbrojtjes njohur si Colsa Corp, dhe përdorur për të krijuar identitete fiktive online dizajnuar për tu ballafaquar me përpjekjet rekrutuese të ISIS dhe rrjeteve të tjera terroriste.
The Intercept foli me një ish punonjës të një kontraktori nën kushtet e një anonimiteti, i përfshirë në rrjetet online propaganduese të Iniciativës Trans-Rajonale të Uebit. Ai përshkroi operacionin si një media e vërtetë ku punësoheshin ish gazetarë dhe operonin në zyra.
“Ajo që ndodh, të paktën për sa kohë unë isha aty, është se CENTCOM do të zhvillojë një listë me pika ku dëshiron që ne të përqendrohemi,” tha kontraktori. “E thënë thjeshtë ata dëshirojnë të përqendroheni në tematika si kundër-terrorizmi apo mbi tematika të përgjithshme.”
Prej aty, ai tha, mbikëqyrësit ndihmojnë në përpunimin e lajmeve që përhapen nëpër një rrjet uebsajtesh dhe llogarish në median sociale kontrolluar nga CENTCOM. Ndërsa kontraktorët krijuan përmbajtje për të mbështetur narrativen e komandës ushtarake, ata u udhëzuan të etiketojnë çdo përmbajtje me një objekt specifik ushtarak. Kryesisht kontraktori tha, lajmet që krijoheshin ishin teknikisht të faktuara por gjithnjë punuar në një formë që reflektonin objektivat e Pentagonit.
“Kemi pasur ca presione nga CENTCOM për të publikuar lajme,” shtoi ai duke theksuar se kishte punuar atje vite më parë. “Megjithatë atë kohë nuk po bënim diçka të dyshimtë.” /PCWorld Albanian
Burimi: The Intercept