Turqia dislokoi pesë avionë transporti ushtarak, duke përfshirë dy avionë “A400M”, për të evakuuar qytetarët e saj të mbetur nga Sudani në vazhdën e konfliktit të armatosur në vend.
Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar, tha se janë duke e ndjekur nga afër procesin deri tek evakuimi i tyre, shkruan Anadolu.
“Ne kemi caktuar pesë avionë tanë për evakuimin e qytetarëve tanë të mbetur drejt Turqisë. Është bërë planifikimi dhe koordinimi i nevojshëm në mënyrë që këta avionë të mund të kryejnë detyrat e tyre. Ne po e ndjekim nga afër procesin”.
“Për shkak të këtyre situatave, ne bëmë një plan me Ministrinë tonë të Jashtme për evakuimin e qytetarëve tanë që jetojnë në Sudan dhe filluam ta zbatojmë atë. Disa nga qytetarët tanë u evakuuan përmes Etiopisë”, tha Aktar.
Aktar, mes tjerash, bëri të ditur se janë 250 shtetas turk në Sudan.
“Ne vazhdojmë përpjekjet tona për evakuimin e 210 qytetarëve tanë nga Wadi Sayyidna, në veri të Khartumit, me tre avionë ‘C-130′. Kemi informacione se janë 250 qytetarë. Një prej këtyre avionëve së shpejti do të ngrihet nga Port Sudani për të sjellë qytetarët tanë në shtëpi”, njoftoi Akar.
Tutje, ai tha se evakuimi i shtetasve të Turiqsë pritet të përfundojë deri mbrëmjen e së premtes.
Të paktën 460 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 4.000 janë plagosur në përleshjet midis ushtrisë sudaneze dhe forcave paraushtarake që nga 15 prilli.
Një mosmarrëveshje është shfaqur muajt e fundit midis ushtrisë dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) në lidhje me reformën e sigurisë ushtarake.
Reforma parashikon pjesëmarrjen e plotë të RSF-së në ushtri – një nga çështjet kryesore në negociatat me palët ndërkombëtare dhe rajonale për një tranzicion në një sundim civil dhe demokratik.