Një qen i quajtur “Aleks” u shpëtua të martën pas 22 ditësh nën rrënoja në Hatay, provincën më jugore të Türkiyes dhe një nga më të goditurat nga tërmetet e 6 shkurtit, raporton Anadolu.
Murat Arıcı, pronari i Aleksit, thirri ekipet e shpëtimit për ndihmë pasi dëgjoi duke lehur qenin e tij i cili ishte bllokuar në rrënoja pas shembjes së një ndërtese dykatëshe.
Pas rreth dy orësh punë, qeni u shpëtua nga vullnetarët e Federatës së të Drejtave të Kafshëve të Türkiyes (HAYTAP) dhe ekipet e Drejtorisë së Punëve Civile të Bashkisë Seydişehir nga Konya.
Pas shpëtimit, qeni husky siberian u dërgua në spitalin fushor të HAYTAP-it për mjekim.
“Ne e kuptuam që qeni ishte gjallë pasi kontrolluam rrënojat. Zona ishte shumë e vogël. Ai ishte bllokuar nën rrënoja. Kishte një vrimë të vogël ku mund të futej vetëm hunda e qenit. E gërmova me një daltë. E premë hekurin duke e hapur me duar. Në një farë mënyre, arrita ta nxjerr qenin jashtë”, tha për Anadolu vullnetari i HAYTAP-it, Osman Polat.
Polat tha se janë të lumtur që arritën ta nxjerrin të gjallë qenin nga rrënojat në ditën e 22-të pas tërmeteve.
“Të mbijetosh 22 ditë në atë vrimë pa ngrënë apo pirë asgjë është vërtet një mrekulli”, tha ai, duke shtuar se edhe pse Aleksi kishte humbur pak peshë, gjendja e tij e përgjithshme shëndetësore është ende e mirë.
Më shumë se 45 mijë njerëz kanë humbur jetën në tërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6 ballë me epiqendër në Kahramanmaraş, të cilat goditën 11 provinca në Türkiye.