Türkiye, qendër diplomatike në vitin 2022 me ndërmjetësime dhe ngjarje ndërkombëtare

December 26, 2022
min lexim

Türkiye u bë qendra e diplomacisë për botën në vitin 2022, duke organizuar një takim trepalësh të ministrave të jashtëm turk, rus dhe ukrainas, si dhe bisedimet për iniciativën e drithit në Detin e Zi, bisedimet për shkëmbimin e të burgosurve Rusi-Ukrainë, Forumin e Diplomacisë së Antalya-s (ADF) dhe Konferencën e Ndërmjetësimit të Istanbul-it, raporton Anadolu Agency (AA).

Në mars, Zëvendëssekretarja e Shtetit e SHBA-së, Wendy Sherman, nisi një udhëtim jashtë shtetit në Istanbul dhe kryeqytetin turk Ankara.

Gjatë udhëtimit të saj në qytetet turke më 4-5 mars, ajo u takua me zëvendësministrin e jashtëm turk Sedat Önal dhe zyrtarë të tjerë dhe diskutoi lidhjet dypalëshe, zhvillimet rajonale dhe luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

Më 9 mars, presidenti izraelit Isaac Herzog realizoi një vizitë dyditore në Ankara dhe u takua me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan. Vizita u konsiderua si një hap drejt përmirësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në përpjekje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe për të arritur një paqe të qëndrueshme, Türkiye mbajti më 10 mars një takim trepalësh të ministrave të jashtëm dhe mblodhi së bashku për herë të parë që nga fillimi i luftës kryediplomatin rus Sergey Lavrov dhe atë ukrainas Dmytro Kuleba në qytetin turistik Antalya në margjina të Forumit vjetor të Diplomacisë në Antalya.

Gjatë takimit, të ndjekur nga afro 400 gazetarë vendas dhe të huaj, Türkiye theksoi nevojën për të mbajtur të hapur korridoret humanitare.

Në të njëjtën ditë u mbajt edhe Konferenca e tetë e Ndërmjetësimit e Istanbul-it me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të nivelit të lartë të organizatave ndërkombëtare, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres, i cili dërgoi një video-mesazh.

Një tjetër takim i rëndësishëm më 10 mars ishte midis presidentit Erdoğan dhe homologut të tij nga Azerbajxhani Ilham Aliyev. Gjatë takimit në Ankara, të dy liderët diskutuan për situatën e fundit në luftën Rusi-Ukrainë, marrëdhëniet dypalëshe dhe kontributin e bashkëpunimit të Türkiye-s dhe Azerbajxhanit në sigurinë energjetike evropiane.

Forumi i Diplomacisë në Antalya

Forumi i Diplomacisë në Antalya (ADF) u mbajt në datat 11-13 mars me temën “Rikodimi i Diplomacisë”.

Me pjesëmarrës nga 75 vende gjithsej, në forum morën pjesë të paktën 17 krerë shtetesh dhe qeverish, 80 ministra dhe 39 përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.

Në margjinat e forumit, Erdoğan zhvilloi 11 takime dypalëshe, ndërsa ministri i Jashtëm Mevlüt Çavusoğlu 67 takime.

Ministri i Jashtëm armen Ararat Mirzoyan mori pjesë gjithashtu në forum dhe u takua me Çavusoglu-n. Dy ministrat ripërsëritën qëndrimin e tyre për vazhdimin e procesit, i cili synon normalizimin e plotë dhe vendosjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore mes vendeve të tyre, pa parakushte.

Më 13 mars, presidenti turk pati një takim në Istanbul me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, ku u theksua rritja e bashkëpunimit dhe fokusimi në agjendën pozitive.

Shefi i OKB-së u prit nga Erdoğan më 25 prill.

Për më tepër, Samiti i Medias Türkiye-Afrikë u organizua më 25 maj nga Drejtoria e Komunikimeve e Presidencës turke. Në këtë aktivitet morën pjesë të paktën 80 anëtarë të mediave, diplomatë, akademikë, përfaqësues nga sektori privat dhe organizata joqeveritare nga 45 vende afrikane.

Marrëveshja historike e Istanbul-it

Më 22 korrik, Türkiye, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje historike në Istanbul për të rifilluar eksportet e drithit nga tre porte ukrainase të Detit të Zi, të cilat ishin ndërprerë për shkak të luftës. Ditë përpara skadimit të saj të planifikuar, marrëveshja historike e drithit u zgjat edhe për 120 ditë të tjera, duke filluar nga 19 nëntori.

Shumë vende uruan dhe vlerësuan Türkiye-n dhe OKB-në për iniciativën. Më shumë se 14 milionë tonë drithë janë transportuar nga 556 anije përmes korridorit të drithit të Detit të Zi.

Për më tepër, Türkiye ndërmjetësoi një shkëmbim të rëndësishëm të të burgosurve midis Ukrainës dhe Rusisë. Me iniciativën e presidentit turk, në shtator u krye shkëmbim i të burgosurve të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës.

Në datat 6-12 gusht, u zhvillua Konferenca e 13-të e Ambasadorëve. Ambasadorët turq që shërbejnë brenda dhe jashtë vendit shkëmbyen mendime mbi çështje rajonale dhe globale që lidhen ngushtë me politikën e jashtme turke.

Mes të pranishmëve ishin mysafirë të huaj, duke përfshirë Sekretaren e Përgjithshme të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Helga Schmid, ministrin e Jashtëm të Azerbajxhanit, Jeyhun Bayramov, dhe ministrin e Jashtëm të Guatemalës, Mario Adolfo Bucaro Flores.

Po ashtu, më 17 tetor, në Istanbul u mbajt takimi i jashtëzakonshëm i ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të Organizatës së Shteteve Turke (TDT). Përveç çështjeve prioritare në agjendën e TDT-së, në takim u diskutuan përgatitjet për samitin që do të mbahej në Samarkand më 11 nëntor.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg bëri një vizitë në Türkiye në datat 3-5 nëntor dhe u prit nga Erdoğan. Ai u takua gjithashtu me Çavuşoğlu-n dhe ministrin e Mbrojtjes Hulusi Akar dhe falënderoi Türkiye-n për rolin e saj në rifillimin e nismës së drithit të Detit të Zi.

TRT World Forum 2022, aktivitet vjetor dyditor, u zhvillua në Istanbul në datat 9-10 dhjetor. Mbledhja, e cila këtë vit u mbajt nën temën “Hartimi i së ardhmes: Pasiguritë, realitetet dhe mundësitë”, mblodhi së bashku akademikë, gazetarë, intelektualë, politikanë dhe anëtarë të shoqërisë civile nga e gjithë bota.

Rreth 100 folës dhe mbi 1.000 pjesëmarrës nga afro 40 vende morën pjesë në forum. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy gjithashtu mori pjesë në ngjarje përmes video-lidhjes. Zelenskyy shprehu mirënjohje për Türkiye-n për ndihmën e saj në shkëmbimin e të burgosurve me Rusinë.





MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Afrikë e Jugut, rritet në 15 numri i viktimave nga shpërthimi i cisternës së karburantit

Story i radhës

Me rrethim burgu dhe tela gjembi, kamera sigurie e portë të lartë, si e ruante Ervis Martinaj banesën e tij në Fushë Kuqe

Të fundit nga

Erdogan synon rritjen e tregtisë me Rusinë

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka thënë të dielën në një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin, se dëshiron të zgjerojë bashkëpunimin tregtar në mes të Ankarasë dhe Moskës.

Shvercerat festojnë 35-vjetorin e themelimit

Sot, tifozeria e zjarrtë Shvercerat, krenaria e qytetit të Shkupit dhe mbështetës të pandalshëm të KF Shkupi, feston 35-vjetorin e themelimit të saj. Një ndër grupet më të vjetra dhe më të
ShkoLartë