Türkiye po i ndjek me “shqetësim të thellë” lajmet për përpjekjen për grusht shteti në Niger, me shpresën se paqja dhe stabiliteti i ligjshëm në këtë vend të Afrikës Perëndimore nuk do të pësojnë, tha Ministria e Jashtme, transmeton Anadolu.
“Ne po e ndjekim me shqetësim të thellë tentativën për grusht shteti të kryer nga një grup brenda Forcave të Armatosura në Niger, që çoi në largimin nga detyra të presidentit Mohamed Bazoum, i cili erdhi në pushtet përmes zgjedhjeve demokratike, dhe pezullimin e të gjitha institucioneve demokratike”, tha Ministria në një deklaratë.
Türkiye shpreson se rendi kushtetues, paqja sociale dhe stabiliteti i Nigerit “miqësor dhe vëllazëror” nuk do të përkeqësohen, shtoi ajo.
“Türkiye do të vazhdojë të qëndrojë pranë Nigerit gjatë gjithë kësaj periudhe kritike”, thuhet më tej.
Presidenca e Nigerit konfirmoi dje se vendi po përballet me një përpjekje për grusht shteti.
Bazoum u rrëzua dhe kushtetuta u pezullua për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në vend dhe krizës socio-ekonomike, sipas një deklarate nga Kolonel Major Amadou Abdramane.
Duke e quajtur veten Këshilli Kombëtar për Mbrojtjen e Vendit, ushtarët lexuan një deklaratë për grusht shteti në një video në transmetuesin shtetëror ORTN.