Turizmi, sfidë për shëndetësinë? Ministrja Koçiu jep lajmin e mirë për pushuesit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, njoftoi se do të hapen 34 qendra shëndetësore sezonale në kuadër të sezonit veror turistik, si dhe për të përballuar fluksin e turistëve.

Gjatë një interviste televizive ministrja tha se janë mbi 400 qendra shëndetësore që janë të ri konstruktuara dhe të pajisura me kushte bashkëkohore që ofrojnë shërbim.

Ndër të tjera ministrja Koçiu tha se “vijojmë ta tregojmë në qeverisje dhe duke qenë një skuadër e fortë do ta vijojmë ta tregojmë edhe për Shqipërinë në 2030”.

Pjesë nga intervista:

Një nga gjërat që ka ndryshuar për mirë është shërbimi i urgjencës, Shqipëria po përballet me një sfidë të re, që është turizmi. Pritet të jetë një vit me turizëm të lartë,  po bëheni gati për këtë ‘invazion’ të ri?

Koçiu: Patjetër që po bëhemi gati. Ne kishim edhe një aktivitet në fillim jave ku lançuam masat e secilës nga ministritë dhe strukturat përgjegjëse për sezonin turistik. Patjetër që do i garantojë qytetarëve por edhe gjithë turistëve një sezon turistik të sigurt ndërkohë që roli i ministrisë pa diskutim që është një rol mbështetës në këtë sezon. Kemi filluar dhe jemi duke përgatitur qendrat shëndetësore verore, që janë zgjatime të qendrave shëndetësore aktuale, më pranë vijave bregdetare apo zonave ku kemi fluks të shtuar të turistëve. Po bëhemi gati për të hapur 34 qendra shëndetësore sezonale, kemi shtuar me 4 qendra të reja për shkak të fluksit në zona si ajo e Bogës, e Radomirës, e Jalës dhe e Hamallajt. Janë 4 qendra verore sezonale që do të hapen të reja, sikundër dhe ndërkohë kemi afruar hapjen e tyre. Këto qendra do të hapen nga 1 qershori dhe do të rrijnë të hapura deri në fund të shtatorit, për të përballuar fluksin e shtuar të turistë. Shqipëria po ka turistë gjatë gjithë muajve të vitit, por për këtë përgjigjet i gjithë sistemi shëndetësor.

Janë mbi 400 qendra shëndetësore që janë të ri konstruktuara dhe të pajisura me kushte bashkëkohore që ofrojnë shërbim, jemi në proces investimesh edhe për 60 qendra të tjera shëndetësore si edhe për 12 struktura të tjera spitalore që do rinovohen dhe do të vijnë në kushte bashkëkohore në periudhën 2024-2025. Pra, unë besoj që e gjithë infrastruktura e shërbimit shëndetësor së bashku me investimet në pajisje medikamente mjekësore i vjen në ndihmë këtij sezoni. Do më duhet të them edhe një proces të rëndësishëm që ne e kemi nisur këtë vit, ka pasur një problematikë vjet, sa i përket procesit të dezinfektimit. Një proces që është shumë i rëndësishëm për t’u shtrirë në të gjithë vijë bregdetare. Kemi filluar nga Shkodra, Shiroka, do e shtrijmë deri në Butrint për të siguruar dhe një mjedis më të shëndetshëm dhe më të pastër. Është e rëndësishme që edhe vetë operatorët privatë, strukturat hoteliere, kanë detyrimin që të bëjnë këtë dezinsektim dhe të marrin masa higjenosanitare sa i përket ambienteve të brendshme, të marrin masa për të mos lejuar përhapjen e insekteve dhe për të mos shqetësuar vizitorët.

Pas 11 vitesh që Rama testoi politikanë të niveleve të ndryshme të PS, ndonjë edhe nga PD ajo që më rezulton është që ish kreu i bashkisë Tiranë i ka besuar pjesën më të madhe të qeverisë ish stafit të tij në bashkinë e Tiranës, por jo vetëm në qeveri por edhe institucione kryesore. Si e shikoni faktin që ish stafi i bashkisë ka në dorë fatet e Shqipërisë?

Koçiu: Nuk e shikoj kështu, e shoh si një skuadër e cila punon mirë, komunikon mire dhe është e gatshme të përballojë gjithë sfidat që ka një qeverisje që nuk janë pak dhe nga ana tjetër, patjetër që duke pasur një eksperiencë të gjatë së bashku, ne kemi dhe më të lehtë që të përballojmë dhe të bëjmë punët duke pasur armë të fortë komunikimin mes njëri tjetrit dhe duke pasur armë të fortë dhe dëshirën për të bërë punë të mira me qytetarët. Këtë e kemi treguar me bashkinë e Tiranës, vijojmë ta tregojmë në qeverisje dhe duke qenë një skuadër e fortë do ta vijojmë ta tregojmë edhe për Shqipërinë në 2030. 

Story i mëparshëm

Lajçak e asistenti i presidentit Biden, diskutojnë për Ballkanin Perëndimor

Story i radhës

Operacionet e errëta: Njësia sekrete e Putinit që përhap frikë nëpër Europë

Të fundit nga