Mohammed bin Salman, de facto sundimtar në Arabinë Saudite, sërish është një mysafir dhe investitor i mirëpritur në BE. Nga vrasja e gazetarit Jamal Khashoggi kanë kaluar tashmë katër vjet.
Princi trashëgimtar i kurorës në Arabinsë Saudite, Mohammed bin Salman, përgatitet me delegacionin e madh që e shoqëron në rezidencën e tij private pranë Parisit, në Chateau Louis XIV në Louveciennes, për ta përmbyllur turin e vizitave të tij në Europë. Në mbrëmje (28.07) Mohammed bin Salman u takua me presidentin francez Emmanuel Macron. Rezidenca e këtij të fundit në pallatin Elysee në Paris, kundrejt kështjellës së sauditit duket si një shtëpi modeste. Princi saudit banon në Francë në imobiljen private më të shtrenjtë në botë, të cilën ai e ka blerë para shtatë vjetësh për 275 milion euro përmes një rrjeti të segmentuar firmash.
Chateau Louis XIV, Louveciennes
Mbreti i ardhshëm i shtetit më të pasur të Gjirit Persik, që de facto është regjent qysh tani, në stacionin e parë të vizitës në Greqi u tregua zemërgjerë. Ai i premtoi kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, se do të zgjerojë potencialin e vendit të tij si një pikë referimi për hidrogjenin ekologjik. “Besoj, se ne kemi shumë mundësi historike që do t’i shfrytëzojmë sot”, tha mysafiri saudit në Athinë. Përmes një kablli të ri nënujor për elektricitet Greqia dhe Europa Juglindore do të „marrin energji të rigjenerueshme me çmim shumë më të ulët. Bashkëpunimi i ri ndryshon gjithçka për të dyja palët”, u shpreh Mohammed bin Salman ndërsa mikpritësi grek pohonte i kënaqur me kokë. Bashkëpunimi në sektorin e energjisë është natyrisht mjaft i mirëpritur në krizën aktuale në Europë.
Politika reale qendron mbi rezervat morale
Foto nga takimi
Eshtë ky udhëtimi i parë në Bashkimin Europian, i princit të kurorës që nga tetori 2018. Asokohe në konsullatën saudite në Stamboll u vra brutalisht gazetari kritik arabo-saudit Jamal Khashoggi. Shërbimet sekrete amerikane dhe një raport i OKB-së të lenë të kuptosh, se vrasja në Turqi është bërë me miratimin e Mohammed bin Salman. Që nga ajo kohë në shumë vende perëndimore ai konsiderohej si një i përjashtuar politikisht. Kontakti me të shmangej – deri vitin e kaluar, kur u bë e qartë, që furnizimet ruse me naftë dhe me gaz nuk janë më të sigurta dhe duhej t‘u kushtohej më shumë rëndësi shteteve të pasura me energji në Lindjen e Mesme.
Bashkimi Europian për këtë arsësye tani nuk e ka më problem që të mbajë kontakte me monarkun absolut të Arabisë Saudite dhe sundimtarin de facto të saj. “Vizitat e përfaqësuesve të shteteve të treta në BE janë pjesë e natyrshme e marrëdhënieve tona, që verifikohen dhe zgjerohen”, u shpreh të enjten (28.07) Peter Stano, zëdhënësi i Shërbimit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve. “BE-ja është e interesuar, t’i forocojë raportet e saj me Arabnië Saudite në një sërë fushash, e në radhë të parë sa i përket energjisë dhe kthesës së gjelbër energjetike”, tha Stano më tej. Duke shtuar, se kjo vlen për të gjitha shtetet e Gjirit Persik. „Kjo është me avantazh për të dyja palët.”
Nga ana tjetër Komisioni i BE-së dhe Shërbimi i tij për Marrëdhëniet me Jashtë insistojnë, që të zbardhet vrasja e gazetarit Khashoggi. “Ne presim një hetim të plotë, sqarimin dhe përgjegjësinë për këtë rast. Kjo çështje shtrohet rregullisht”, thotë zëdhënësi i Shërbimit për Marrëdhëniet me Jashtë, Peter Stano. Me Arabinë Saudite është nisur një „dialog për të drejtat e njeriut”.
Kritikë nga Amnesty International
Agnes Callamard, Amnesty International
Sekretarja e Përgjithshme e organizatës së të drejtave të njeriut “Amnesty international” i konsideron të pamjaftueshme këto garanci. „Unë mendoj se të tilla vizita janë tepër shqetësuese”, i tha Agnes Callamard agjencisë franceze të lajmeve Agence France-Presse (afp). “Vizita e bin Salmanit në Francë dhe vizita e Joe Bidenit në Arabinë Saudite nuk ndryshojnë gjë, qëbin Salman s’është gjë tjetër veçse një vrasës.” Para katër vjetësh shumë politikanë perëndimorë u shprehën të shokuar për vrasjen në konsullatë. Tani Mohammed bin Salman sërish integrohet në marrëdhëniet ndërkombëtare përkundër çdo ndjesie për të vërtetën dhe drejtësinë, kritikon Agnes Callamard. Përpara se të fillonte aktivitetin në “Amnesty International” ajo ka hetuar për OKB-në si raportuese speciale për vrasjet e jashtëligjshme e ndër të tjera edhe për vrasjen e Jamal Kashoggit. Ajo arriti në përfundimin, se qeveria saudite është përgjegjëse për vrasjen. Princi i kurorës Mohammed bin Salman hedh poshtë çfarëdolloj involvimi dhe bën përgjegjës agjentët e shërbimit sekret të dalë jashtë kontrollit.
Në Arabinë Saudite, ku bin Salman sipas “Amnesty International” nuk lejon asnjë kritikë apo mendim ndryshe, janë nëpër burgje të paktën një duzinë gezatrësh. Bloggeri i njohur Raif Badavi pas burgimit disa vjeçar më në fund u lirua, por atë nuk e lejojnë të largohet nga vendi.
Një mik(pritës) mjaft i preferuar
Foto nga takimi
Turi në Europë i pasuesit saudit të fronit nuk është fillimi, por më shumë është përfundimi i „riintegrimit” në diplomacinë ndërkombëtare. Gjatë këtij muaji presidenti i SHBA-së Joe Biden vizitoi shtëpinë mbretërore saudite, sepse Bidenit i duhet Arabia Saudite si kundërpeshë strategjike ndaj Iranit në rajon. Përveç kësaj Arabia Saudite duhet të rrisë volumin e nxjerrjes së naftës, për të ulur çmimet në tregun botëror. Ushtria saudite është kliente e rëndësishme e industrisë së armëve në SHBA dhe në Europë. Franca nuk është një stacion i rastësishëm i vizitës. Sauditët janë klientë të mëdhenj të farkëtarëve francezë të armëve si dhe blejnë centrale bërthamore franceze. Gati 4000 firma franceze janë aktive në shtetin e Gjirit. Presidenti francez Emmanuel Macron ishte i ftuar në dhjetor 2021 në Riad, po ashtu sikurse edhe kryeministri britanik Boris Johnson.
Foto nga takimi
I ngarkuari i BE-së për Politikën e Jashtme Josep Borrell e ka takuar disa herë homologun e tij saudit. Më 2020 ministri i Jashtëm gjerman asokohe Heiko Maas është takuar me ministrin e Jashtëm saudit Faisal bin Farhan al-Saud. Mohammed bin Salman në qershor mundi të vizitojë presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdogan, i cili më 2018 premtoi, se do t’i gjente vrasësit në Stamboll. Në nivel ndërkombëtar Mohammed bin Salman në mënyrë krejt të vetëkuptueshme merr pjesë në takimet e grupit G20.
Ndoshta ai do të vizitojë edhe shtete të tjera në Europë dhe tani do të banojë gjithnjë e më shpesh në rezidencën e tij të dytë deri dje pak të shfrytëzuar, Chateau Louis XIV, e madje mund të shijojë edhe ditë pushimesh në Francë. Disa prej bashkëatdhetarëve të tij super të pasur e kalojnë verën në bregun e kaltër francez, Cote d’Azur./DW