Drejtori i Përgjithshëm i Shoqatës Aksionare MEPSO, z. Burim Latifi, realizoi një takim të rëndësishëm pune në Prishtinë me ushtruesin e detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të KOSTT-it, z. Shaban Neziri, ku në fokus ishte projekti strategjik për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Tetovë–Prizren.
Ky projekt pritet të forcojë lidhjen ndërmjet dy sistemeve energjetike të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, duke kontribuar ndjeshëm në sigurinë dhe qëndrueshmërinë e furnizimit me energji në të dy vendet. Linja interkonektive është pjesë e planeve afatgjata për zhvillimin e rrjetit, të harmonizuara me direktivat e ENTSO-E, rrjeti evropian i operatorëve të sistemeve të transmetimit.
Përfitimet kryesore të projektit përfshijnë rritjen e kapaciteteve të ndërlidhjes, përmirësimin e sigurisë së furnizimit, avancimin e tregtisë së energjisë në nivel rajonal, si dhe mbështetjen e integrimit të burimeve të ripërtëritshme, një hap kyç drejt tranzicionit të gjelbër dhe qëllimeve për energji të qëndrueshme.
Palët u dakorduan që të intensifikohet bashkëpunimi teknik dhe institucional në periudhën në vijim, me qëllim realizimin e suksesshëm të këtij projekti me rëndësi strategjike për të dy vendet dhe për stabilitetin energjetik të rajonit.