Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, në çështjen gjyqësore ndaj Sabit Januzit, Haxhi Shalës dhe Ismet Bahtijarit, tha se marrëveshja e re e këtij të fundit për pranimin e fajësisë e arritur me Zyrën e Prokurorit të Specializur, i plotëson kushtet ligjore.
“Urdhri gojor ka të bëjë me marrëveshjen e fajësisë të dorëzuar nga ZPs-ja dhe mbrojtja e Bahtijarit. Pasi ka shqyrtuar marrëveshjen e re të fajësisë, trupi gjykues ka konstatuar se kjo marrëveshje i plotëson kërkesat e rregullës 94 (2) të Rregullores”, tha gjykatësja.
Si rrjedhojë, ajo e caktoi 18 dhjetorin 2024 si seancë ku do të diskutohet kjo marrëveshje e fajësisë në mes ZPS-së dhe Bahtijarit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Prandaj, trupi gjykues e konsideron të arsyeshme caktimin e një seancë për të enjten më 19 dhjetor 2024 në orën 13:00, varësisht nga vendimi që do të marrë sot trupi gjykues për çështjen e pazgjidhur për të diskutuar marrëveshjen e re të zotit Bahtijari me ZPS-në në mënyrë që të sigurohet ecuri e shpejtë e procesit”, tha ajo .
Si rrjedhojë, mbrojtja e Bahtijarit u urdhërua të bëjë të ditur nëse klienti i saj e ka ndërmend që të bëjë deklaratë në procesin e marrëveshjes së fajësisë dhe vetë mbrojtja parashtrime lidhur me caktimin e dënimit.
Mbrojtja e Bahtijarit, avokati Felicity Gery ndërhyri duke thënë se nuk ka ndërmend i mbrojturi i tyre që të bëjë deklaratë. Lidhur me këtë, Veldt-Foglia i tha që mos ta ndërpres.
Pas kësaj, Bahtijari u urdhërua që të jetë i pranishëm në seancën e 18 dhjetorit.
Kurse, urdhri tjetër kishte të bënte me parashtrimet që janë bërë lidhur me zhdëmtimet në marrëveshjet e fajësisë. Fillimisht, trupi gjykues rikujtoi se nuk ka një vendim kornizë lidhur me pjesëmarrjen e viktimave në këtë çështje.
Si rrjedhojë u urdhërua Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave që të marrë aktakuzën e 6 dhjetorit dhe vendimin e konfirmimit të 2 tetorit 2023, si dhe vendimin për ndryshimin e aktakuzës të 8 korrikut 2024, e që informacionet që ndodhen në ato nuk duhet t’ia nxjerrë asnjë personi. Ndërsa, Zyra Administrative u urdhërua që t’ia dorëzojë ato.
Sipas gjyqtares, këto dokumente përbëjnë informacione për persona që mund të jenë viktima në këtë çështje.
Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave, sipas gjyqtares duhet të informojë nëse ka kërkesa për viktima pjesëmarrëse, numrin e kërkesave, sa janë viktima të drejtpërdrejta dhe sa të tërthorta, duke përfshirë edhe përmbledhje lidhur me llojin e dëmit të pretenduar, përmasat e dëmit, informacione për viktimat, e të tjera.
Pas pushimit, gjykatësja tha se marrëveshjet për pranimin e fajësisë i referohen konkretisht aktakuzës së 10 korrikut 2024 dhe nuk ka asnjë pengesë për vazhdimin e seancës së sotme me çështjet e planifikuara. Pas disa diskutimeve mes palëve, u vendos që të vazhdohet me seancë.
Veldt-Foglia tha se fillimisht do të vazhdohet me diskutimet për marrëveshjen e fajësisë për Shalën, për të vazhduar më pas me Januzin dhe nesër me atë të Bahtijarit. Sipas saj, ekipet tjera të mbrojtjes nuk janë të obliguara të qëndrojnë në sallë përveç kur diskutohet marrëveshja e fajësisë së klientit të tyre.
Burimi: botasot.info