Trupat ukrainase vazhdojnë kundërofensivën ndaj forcave ruse

min lexim

Trupat ukrainase vazhduan të hënën kundërofensivën e tyre ndaj forcave ruse. Kievi dhe vëzhguesit e huaj kanë lënë të kuptohet se ka pasur përparime të reja në rajonin strategjik jugor të Khersonit, që Kremlini do ta aneksojë.

Khersoni ka qenë një nga fushat më të vështira të betejës për ukrainasit, me përparim më të ngadaltë në krahasim me ofensivën rreth qytetit të dytë më të madh të vendit, Kharkiv, në verilindje, që filloi muajin e kaluar.

Khersoni është një nga katër rajonet e aneksuara në mënyrë të paligjshme nga Moska javën e kaluar pas një “referendumi” të orkestruar nga Kremlini. Dhoma e ulët e parlamentit rus, Duma ratifikoi sot traktatet e aneksimit dhe dhoma e lartë pritet të bëjë të njëjtën gjë të martën.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha sot se dy nga ato rajone, Donetsku dhe Luhansku, po i bashkohen Rusisë me kufijtë e tyre administrativë që ekzistonin përpara se të shpërthente konflikti në vitin 2014 midis separatistëve pro-rusë dhe forcave ukrainase. Ai vuri në dukje se çështja e kufijve të dy rajoneve të tjera – Zaporizhias dhe Khersonit – mbetet e hapur.

“Ne do të vazhdojmë të diskutojmë për këtë me banorët e këtyre rajoneve,” tha zoti Peskov në një konferencë shtypi. Ai nuk dha detaje shtesë.

Ushtria ukrainase ka përdorur me sukses raketat HIMARS të dërguara nga Shtetet e Bashkuara për të goditur në mënyrë të përsëritur urën kryesore mbi lumin Dnieper në qytetin Kherson dhe një digë që ka shërbyer si pikë kalimi dytësore kryesore.

Megjithë goditjet e suksesshme në linjat e furnizimit, operacionet ofensive të Ukrainës në jug deri tani kanë qenë më të ngadalta dhe më pak të suksesshme në krahasim me verilindjen, pasi terreni i hapur i ekspozon lehtësisht forcat e saj ndaj zjarrit të artilerisë dhe sulmeve ajrore ruse.

Humbja e fundit nga Rusia e qytetit lindor të Lymanit, të cilin e kishte përdorur si një qendër transporti dhe logjistike, ishte një goditje e re për Kremlinin, ndërsa ajo përpiqet të përshkallëzojë konfliktin duke aneksuar në mënyrë të paligjshme katër rajonet e Ukrainës dhe duke intensifikuar kërcënimet për të përdorur forcën bërthamore./VOA

Story i mëparshëm

Nata e parë e dashurisë një zhgënjim, a ndodh kjo sepse nuk jeni në shtrat me personin e duhur?

Story i radhës

Shtohet kriza e të lënduarve te Milani

Të fundit nga